May: Vullneti për Brexit nuk duhet të vihet në dyshim

schedule19:48 - 24 Shkurt, 2019

schedule 19:48 - 24 Shkurt, 2019

Teksa po afrojnë votimet parlamentare që mund t’i heqin të drejtën për të kontrolluar Brexit, kryeministrja britanike ka deklaruar se largimi nga BE është një proces që nuk duhet vënë në diskutim.

Votimi pro Brexit nuk duhet të vihet në dyshim dhe qeveria duhet të mbetet e fokusuar në implementimin e vullnetit të popullit. Kështu ka deklaruar kryeministrja britanike Theresa May në një fjalim të mbajtur përpara aktivistëve konservatorë, teksa negociatat e saj me BE-në kanë hyrë në fazat finale.

“Gabimi më i madh që mund të bëjmë në këto momente është humbja e përqendrimit”, ka deklaruar Mau.

Deklarata vjen në një kohë kur tre anëtarë pro-BE-së të kabinetit të saj paralajmëruan se mund të votojnë për ta vonuar Breksit, për të parandaluar një dalje pa marrëveshje që do të ishte katastrofike. Por May ka theksuar se, në partinë e saj nuk do të ketë “spastrime” vetëm për shkak të këndvështrimeve të ndryshme.

Në prag të votimeve që mbahen javën e ardhshme në Dhomën e Përfaqësuesve, Greg Klark, Amber Rud dhe Dejvid Gok deklaruan se do ta sfidojnë kryeministren dhe do të votojnë për një shtyrje të daljes nga BE-ja.

Divorci mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Unionit pritet të konkretizohet më 29 Mars dhe ndërkohë, qeveria britanike nuk e ka përjashtuar mundësinë e një largimi pa marrëveshje, në rast se May nuk siguron dot mbështetjen e deputetëve për akordin që mund të arrijë me Brukselin.

Fjalimi i May në Konventën Kombëtare të Konservatorëve, mbajtur në Oksford, vjen në prag të një seri votimesh të rëndësishme të parashikuara për ditën e mërkurë, në të cilat Parlamenti mund t’i zhvasë kontrollin e Brexit kryeministres./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!