Një banesë në lagjen “Xhabie” në Shkodër është përfshirët nga flakët mesditën e sotme. Burime për Abcnews.al bëjnë me dije se një i moshuar rreth 79-vjeç i identifikuar si Musa Zeqiraj që ndodhej në banesë në momentin e rënies së flakëve, ka ndërruar jetë.
Ai nuk ka mundur të lëvizë për shkak se ishte i paralizuar. Ndërkohë e shoqja është dërguar në spital ku po merr ndihmë mjekësore për shkak të djegieve që ka pësuar. Çifti i të moshuarve jetonin të vetëm ndërsa shkaku që ka sjellë rënien e flakëve dyshohet të jetë bërë bombula e gazit.
Paulin Çarri, shefi i Teknikës shprehet se përjashtohet që shkak të jetë bërë një defekt elektrik. “Në momentin që na kanë lajmëruar janë stakuar automatet. Nuk ka asnjë defekt elektrik. Sipas meje ka ardhur prej gazit. Kanë automat mbrojtës që janë ulur në moment. Prej elektrikut nuk ka asnjë problem”, tha ai.
Abcnews.al sjell pamje nga vendi i ngjarjes ku forcat zjarrfikëse kanë mbërritur tashmë dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
“Më datë 03.02.2022, rreth orës 13:30, në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, ka rënë zjarr në katin e parë të një pallati. Si pasojë ka gjetur vdekjen shtetas M. Z. 79 vjeç, dhe ka pësur djegie bashkëshortja e tij e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Rajonal Shkodër.
Në vendin e ngjarjes ndodhen shërbimet e Policisë dhe shërbimet PMNZ, ku kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia. /abcnews.al