Aksioni në burgje, Manja: Do pastrohet sistemi, do heqim tavanin e moshës 35 vjeç për punonjësit

schedule10:56 - 3 Shkurt, 2022

schedule 10:56 - 3 Shkurt, 2022

Ministri i Drejtësisë ka reaguar nga foltorja e Kuvendit në lidhje me operacionin e finalizuar dy ditë më parë në sistemin e burgjeve ku në pranga u vunë disa zyrtarë që kishin favorizuar të dënuarit në qeli. Manja deklaroi se ajo që ndodhi nuk është vetëm një aksion por një punë e përditshme që do të shtrihet në të gjithë sistemin e burgjeve.

“Dje u ndëshkua një grup kriminal brenda dhe jashtë sistemit të burgjeve. Në rrjetë kanë rënë edhe disa punonjës të policisë së burgjeve edhe në nivele të larta. Ajo që ndodhi dje ishte një punë e nisur prej nesh dhe prokurorisë së Elbasanit. Nuk do të jetë aksion dhe as kalendar veprimtarish dhe një punë e përditshme në sistemet tona të burgjeve”, tha Manja.

Manja ka paralajmëruar se do të hiqet tavani i moshës 35-vjeç për punonjësit e policisë së burgjeve. Ai foli për reformat e ndërmarra dhe ato që të bëhen në vazhdim në sistemin peniteciar dhe kushtet për punonjësit. Ai deklaroi se nuk ka më asnjë rast të mospagesës për punën jashtë orarit dhe sigurimin e transportit për punonjësit që jetojnë larg institucionit ku punojnë.

“Zoti Piroli tani që flasim drejtoria e burgjeve është në riorganizim total. Synimi është të ristrukturojmë sistemin e karrierës në policinë e burgjeve duke përfafruar në atë të sistemit të policisë së shtetit. Qeveria ka filluar reformat. Sot që flasim kanë dalë aktet nënligjore dhe shumë shpejt do miratohet edhe rregullorja e re e burgjeve.

Nuk ka asnjë rast të mospagesës së orëve jashtë orarit. Nuk mund të lë pa përmendur trajtimin e bërë për stafin shëndetësor. Rritja për pozicionin e kryeinfermierit me 47% rritje page, pozicionin e infermierit me 33%. Një aspekt tjetër është ai i uniformave. Gjatë kësaj kohe kemi pasur dy ngjarje në Shqipëri, tërmeti dhe pandemia. Qeveria është detyruar të riorientojë fondet në sistemet më prioritar. Në rishikimin e buxhetit në korrik të këtij viti do marrim mbështetjen e duhur buxhetore për prokurimin e uniformave të policisë. Drejtoria e burgjeve ka lidhur kontrata me shoqëri transporti për punonjësit që jetojnë jashtë zonave urbane. Nuk ka asnjë punonjës të emëruar më larg se 45 km nga vendbanimi i tyre. Gjendja është stabilizuar. Kjo politikë e ndjekur janë trajtuar 140 punonjës të policisë së burgjeve”, u shpreh Manja.

Ai tha se do të nisë rikonstruksioni në të gjithë IEVP-të e vendit ndërsa ceku kushtet për mbajtjen e armëve të zjarrit nga punonjësit e policisë së burgjeve.

“Po përgatisim projektet për rikonstruksionet në të gjitha IEVP-të e vendit. Sa i takon mbajtjes së armëve të zjarrit, punonjësve të burgjeve iu ndalohet mbajtja e armëve në regjimin e brendshëm në institucion. Armët lejohen në rrethimin perimetrik dhe gjatë shoqërimit jashtë burgut. Armët jashtë burgut i mbajnë vetëm punonjësit e shoqërimit”, u shpreh ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!