Ambasadori amerikan: Një ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë i implikuar në Itali

schedule20:22 - 23 Nëntor, 2017

schedule 20:22 - 23 Nëntor, 2017

Ambasadori amerikan në OSBE vëren se kriminaliteti dhe korrupsioni mbeten pengesë për prosperitetin në Shqipëri. Ai përmend rastin e ish-ministrit Tahiri apo dhe disa rekomandime të përmendura në raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet.

Kreu i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, Harry Kamian ka publikuar një përgjigje lidhur me raportin e detajuar të përpiluar nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt.

“Korrupsioni dhe kriminaliteti në të vërtetë mbeten pengesa për prosperitetin në Shqipëri. Prokuroria e Tiranës po heton aktualisht më shumë se 3000 raste të marrjes ne pune dhe shkarkimeve gjatë periudhës së fushatës zgjedhore 2017, një shqetësim që është ngritur edhe nga ODIHR.”

Kreu i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë flet edhe për zgjedhjet parlamentare të qershorit në Shqipëri. Duke cituar raportin fillestar të ODIHR, Ambasadori Kamian, shkruan se kandidatët zhvilluan fushatë të lirë si dhe nënvizon se u respektuan liritë themelore. Por ai ka edhe disa kritika.

“Këto rezultate vërtet shënojnë përparim të rëndësishëm. Megjithatë, ODIHR raportoi gjithashtu se Shqipëria nuk arriti të adresojë shumë nga rekomandimet e ODIHR dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës nga viti 2013 dhe 2015, duke përfshirë nevojën për depolitizimin e aspekteve kyçe të administratës zgjedhore. Përveç kësaj, ODIHR raportoi se besimi i publikut në procesin zgjedhor mbetet i ulët”.

Në komentin e tij, Kamian shfaq shqetësimin e tij për rastin Tahiri.

“Një ish-ministër i brendshëm – i cili tani është anëtar i Parlamentit – është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës”.

Ndër të tjera, zyrtari amerikan përgëzon Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për ndihmën që i ka dhënë vendit tonë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për reformën e gjyqësorit./abcnews.al

 

https://youtu.be/N5zslKGxQPY