Policia greke publikoi fotot e një grupi kriminal që drejtohej nga Shqiptari, Genc Pepa. 8 anëtarët e grupit akuzohen për disa grabitje dhe vrasjen e një biznesmeni në prill të vitit 2018.
Policia greke ka publikuar fotot e një grupi kriminal shqiptar, që veç të tjerash akuzohet edhe për vrasjen e një biznesmeni grek, në prill të vitit të kaluar.
Mes tyre dhe një person i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Greqi. Është fjala për Genc Pepën, i cili për vite me radhë organizonte koncerte me këngëtarë të shquar shqiptarë.
Pjesë e grupit prej tetë vetësh është dhe një shtetase rumune.
Grupi e kishte filluar veprimtarinë kriminale të paktën që nga shkurti i vitit të kaluar, kryesisht në zonën e Atikës, por edhe në rrethe të tjerë të vendit.
Ata mësynin me fytyra të maskuara në banesat e viktimave, që i neutralizonin nën kërcënimin e armëve. Në mjaft raste ata përdornin dhunë të ashpër, një sjellje që kulmoi me ekzekutimin e biznesmenit 52 vjeçar në Kifisia të Athinës, në prill 2018.
Sipas policisë, pas kryerjes së krimit autorët u larguan nga Greqia ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit e vazhduan veprimtarinë, por jashtë kryeqytetit. Policia tha se ra në gjurmët e grupit pas zbulimit të gjurmëve të gjakut të një derri të egër në automjetin që drejtonte Pepa.
Tashmë fotografitë e tyre publikohen për gjashtë muaj, me urdhër të prokurorit, me qëllim që të hidhet më shumë dritë në veprimtarinë e grupit, por edhe, siç nënvizohet, të gjenden vendet ku ata kanë fshehur motoçikleta dhe automjeteve të vjedhura. /abcnews.al