Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, këtë të hënë ka pritur në një takim, Sir Stuart Peach, përfaqësuesin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Pendarovski ka shprehur kënaqësi për vizitën e tij në RMV, pas marrjes së funksionit në dhjetor të vitit 2021.
Presidenca bën me dije së në këtë takim ata kanë këmbyer informacione dhe mendime rreth gjendjes aktuale në vend dhe rajon, si dhe mundësitë për bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Në takim është folur edhe për anëtarësimin e RMV-së në BE, si dhe dialogun me Bullgarinë.
Presidenti e ka informuar Sir Stuart Peach për ecurinë e dialogut ndërmjet dy vendeve. Në këtë kontekst, presidenti Pendarovski falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për interesimin dhe mbështetjen për dialogun maqedono-bullgar dhe nënvizoi se tejkalimi i bllokadës për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të sjellë parashikueshmëri dhe stabilitet shtesë në Ballkanin Perëndimor./abcnews.al