Kurti: Aq lirë ka qenë çmimi i rrymës, sa që shumë qytetarë s’e kanë ditur se sa paguajnë

schedule13:28 - 24 Janar, 2022

schedule 13:28 - 24 Janar, 2022

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë aq i lirë, sa që sipas tij, një numërt i madh i qytetarëve nuk e kanë ditur se sa paguajnë për rrymë.

Kurti, sikurse edhe Zyra e Rregullatorit për Energji në propozimin për rritjen e çmimit të rrymës, ka konstatuar se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.

“Kurrë nuk ka pasur numër më të madh të qytetarëve të Republikës së Kosovës sesa në këto katër vitet e fundit që nuk e dinë se sa paguajnë për energji elektrike. Aq lirë ka qenë, sa që nuk e kanë ditur as sa paguajnë”, tha Kurti.

Sipas kryeministrit, kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë në historinë e Kosovës.

Në historinë e Kosovës, numër më të madh të qytetarëve që nuk e kanë ditur sa e kanë faturën, nuk ka pasur. Nuk po them që shumica janë të tillë, por numër më të madh nuk ka pasur”, tha ai.

ZRRE-ja, në raportin konsultativ ku propozonte shtrenjtimin e energjisë elektrike, theksonte se struktura tarifore e ndryshuar në vitin 2017 ka pasur ndikim të konsiderueshëm negativ në sistem, duke rezultuar në rritjen e kërkesave për rrymë dhe rrjedhimisht, shpenzimeve në blerjen e energjisë elektrike./Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!