Policia e Kosovës dhe KFOR, rrugë alternative për të vizituar fshatin në Kamenicë

schedule20:13 - 18 Shkurt, 2019

schedule 20:13 - 18 Shkurt, 2019

Banorët e fshatit Karaçevë të Kamenicës, fshat në afërsi të kufirit me Serbinë, prej 20 vjetësh jetojnë në ankth. Shumë toka kanë frikë t’i punojnë për shkak të shqetësimeve nga xhandarmëria serbe. Policia e Kosovës dhe KFOR e vizitojnë këtë fshat vetëm duke ndjekur rrugët alternative.

Kjo është rruga që të shpie në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, fshat ky afër kufirit me Serbinë. Ndërsa kjo shenjë paralajmëron ndalesën e qarkullimit të automjeteve të veturave të KFOR-it dhe UNMIK-ut.

Ndonëse fshati është disa kilometra më tej, rruga që të dërgon atje, nuk shfrytëzohet edhe nga Polica e Kosovës dhe veturat e tjera zyrtare të shtetit. Banorët këtë rrugë e shfrytëzojnë në mënyrë ilegale, por nuk pengohen nga askush.

“Këtu në këtë rrugën e asfaltume ne kalojmë rrugën tonë ilegalisht”.

“FSK, zjarrfikësja këtu nuk ka mundësi të vijë për shkak të pikës kontestuese që na kanë ndërpre në “Karaçevën e poshtme”.

Ky nuk është problem i vetëm i banorëve të këtushën. Këtu prapa meje është një postbllok i policisë së Serbisë, vend ky që shënon ndarjen administrative ndërmjet Kosovës e Serbisë, megjithatë në këtë vend, ku jam unë e në fshatin Karaçevë shpesh hyn xhandarmëria serbe duke shqetësuar banorët e këtushëm.

“Xhandarmëria bëjnë provokime, kalojnë kufinin dhe na krijojnë luftë psikologjike”.

“Vazhdimisht hyjnë. Kur të dojnë. Aq lirë hyjnë saqë edhe në Serbi nuk e kanë më të lirë”.

Ismajl Kastrati, 84 vjeç, nga po ky fshat, thotë se familja e tij merret me bujqësi. Por sipas tij janë të kufizuar për të punuar tokën meqë është në zone kufitare. Ndërsa barinjtë shpesh janë arrestuar për t’u gjobitur më pas në Vranjë të Serbisë.

“Kanë marrë në Bujanovc, i kanë çuar në Bujanoc, i kanë dënu”.

Derisa tokat që i kanë në pjesën e Serbisë as nuk u shkon ndërmend t’i punojnë.

“Disa toka që i kemi brenda në Serbi, ato janë mbet pa punue”.

Banorët thonë se tash e 20 vjet janë në mëshirë të fatit. Deri më tash janë ankuar në të gjitha institucionet relevante, por kanë hasur në vesh të shurdhër. Shpresat për një zgjidhje të situates po thuaj janë shuar, ndërsa me ankth presin edhe marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi./abcnews.al