Rama: Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne

schedule12:30 - 18 Shkurt, 2019

schedule 12:30 - 18 Shkurt, 2019

Paralelisht me mbledhjen e grupit të PD-së, edhe kryeministri Rama ka zhvilluar mbledhjen e përjavshme me deputetët e tij. Diskutimet janë fokusuar në organizimin e zgjedhjeve vendore, ndërsa nuk kanë munguar komentet as për djegien e mandateve nga opozita.

Mosbesues ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike është treguar edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist. Ende pa u marrë vendimi nga selia blu për të lënë mandatet e deputetëve të opozitës, kryeministri Edi Rama ka besuar se nuk do gjendet konsensusi në rradhët e deputetëve të kampit tjetër politik.

“Nëse djegia e mandateve nuk është një tjetër ballo me maska e Lulzim Bashes, pra një çadër ne forme bojkoti para zgjedhjeve te qershorit, do të jetë sidoqoftë e vështirë të realizohet konsensusi mes tyre. Dhe Lulzimi e di këtë, por luan blofin.”

Pretendimi i kryeministrit u rrëzua nga vendimi unanim i opozitës, megjithatë mazhoranca përpiqet të tregohet e kujdesshme për çka do të ndodhë më pas.

Deputetëve dhe shqiptarëve kryeministri kërkon t’u ngulë në mendje se më e rëndësishme në këtë situatë është të vazhdojë organizimi për zgjedhjet vendore, pavarësisht asaj që bën opozita.

“Ne duhet të përmirësohemi. Mes shpifjeve të kundërshtarëve të shohim çfarë nuk shkon me ne”.

Protesta e 16 Shkurtit është një moment për t’u duartrokitur puna e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar.

 “Le ta përgëzojmë e falënderojmë te gjithë se bashku ministrin e brendshëm e përmes tij drejtuesit e punonjësit e Policisë se Shtetit, për menaxhimin e shkëlqyer te nje proteste te gatuar për dhunë e për destabilizim. Kush kërkoi dhunë u përball me një model krejt te ndryshëm sjelljeje te pushtetit ndaj protestuesve, përkundër modelit kriminal te atyre qe dje vranë protestuesit, sot duan te vrasin shpresën europiane të shqiptarëve”.

Sipas kryetarit të qeverisë, jeta duhet të vazhdojë pas asaj që ndodhi në 16 Shkurt. Godina e kryeministrisë u dëmtua, “Kërpudha” ka mbetur si relike në një cep të saj, por ajo çka vlen më shumë sipas shefit të ekzekutivit është fitorja në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Ndërsa për përfaqësitë diplomatike në vendin tonë ka nisur puna e bisedimit me të gjitha forcat politike në vend. E para që hodhi këtë hap është ambasadorja gjermane, e cila u takua me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi për afro një orë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!