Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, ku ndër të tjera janë ndarë mjetet financiare për mbështetjen e kampanjës së filmit “Zgjoi”.
Me këtë rast, Qeveria ka ndarë shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit që është në garë për t’u nominuar në edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”.
“Aprovimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe kërkesa e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për mbështetje financiare për zbatimin e Masës 4.3 – Mbështetja e Kulturës dhe Sportit. Me vendimin e aprovuar sot janë ndarë mjete financiare në shumën prej 95,725 eurove të cilat do të përdoren për mbështetjen e pjesës së dytë të kampanjës së filmit “Zgjoi”, i nominuar nga Republika e Kosovës për të garuar në kuadër të edicionit të 94-të të Çmimeve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të filmit, “Oscars”, thuhet në vendimet e Qeverisë.
Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes.
Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj./abcnews.al