Seanca për Pavarësinë, Haradinaj: marrëveshja me Serbinë, pa prekur kufijtë

schedule14:04 - 17 Shkurt, 2019

schedule 14:04 - 17 Shkurt, 2019

Në seancën solemne të mbajtur me këtë rast në Kuvend, kryeministri Haradinaj përsëriti gatishmërinë për një marrëveshje me Serbinë, por pa prekur kufijtë. Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli ftoi liderët e vendit që të përmbahen nga vendimmarrjet individuale.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të dielën një seancë solemne me rastin e 11-vjetorit të Pavarësisë, ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë e diplomatë të huaj, të njohur për kontributin e tyre për Kosovën.

Në fjalën e tij, krahas falenderimeve, kryeministri Ramush Haradinaj është zotuar se do të punojë për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe për realizimin e ambicieve të saj europiane.

Haradinaj është ndalur edhe tek rëndësia që kanë marrëdhëniet ndërfqinjësore, duke shprehur gatishmërinë e kabinetit të tij për një marrëveshje me Serbinë, pa prekur kufijtë.

Ramush Haradinaj: “Jemi të interesuar për një marrëveshje tanimë të quajtur obligative e ligjore, për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë ekzistues dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE. Faleminderit të gjithë aleatëve”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli në fjalën e tij ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është një realitet që u arrit pas shumë përpjekjesh, sakrificash e vuajtjesh. Duke vlerësuar rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët, Veseli ka përsëritur ndonëse në mënyrë indirekte apelin për pezullimin e taksës me Serbinë.

Kadri Veseli: “Vendimmarrja e shtetit nuk duhet të jetë individuale. Duhet të vëmë në peshore interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë dhe atyre që na rrethojnë, Rusisë në njërën anë dhe SHBA e BE në anën tjetër. Me këto të fundit përkrah Kosova është më e sigurtë”.

Veseli ka falenderuar vendet perëndimore që kanë njohur Kosovën, e cila sot sipas tij sot ka nevojë të fokusohet tek sundimi i shtetit ligjor, lufta kuundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!