Ukraina u godit nga një sulm masiv kibernetik dhe paralajmëroi qytetarët e saj që të përgatiten për skenarin më të keq. Nuk dihet se kush qëndron pas sulmit kibernetik të së premtes, por goditja vjen mes tensioneve të rritura me Rusinë e ndërsa bisedimet mes Moskës dhe Perëndimit kanë dështuar të ofrojnë ndonjë përparim serioz.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko i tha agjencisë ‘Associated Press’ se është ende shumë herët për të thënë se kush qëndron pas këtij sulmi, por ai shtoi “se ka një histori të gjatë të sulmeve kibernetike ruse kundër Ukrainës”.
Moska nuk ka reaguar rreth këtij zhvillimi të fundit por në të kaluarën e ka mohuar përfshirjen në sulme kibernetike kundër Ukrainës.
Sulmi shënjestroi rreth 70 faqe interneti të organeve qeveritare në nivel qendror, por sipas nënkryetarit të Shërbimit Shtetëror të Komunikimit dhe Mbrojtjes së Informacionit, asgjë nga infrastruktura më e rëndësishme nuk është prekur dhe se hakerat nuk kishin arritur të siguronin qasje në të dhënat personale.
Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë shprehu shqetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se Uashingtoni i ka ofruar ndihmë Ukrainës mbi këtë çështje. Ai shtoi gjithashtu se nuk ishte ende e qartë se kush ishte përgjegjës për sulmin dhe tha se Presidenti Joe Biden ishte informuar rreth tij.
“Ne jemi në kontakt me autoritetet në Ukrainë dhe kemi ofruar mbështetjen tonë ndërsa Kievi po heton lidhur me pasojat dhe natyrën e e sulmit dhe po merr masa kundër incidenteve”, tha zëdhënësi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se në ditët në vijim aleanca do të nënshkruajë një marrëveshje për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e sigurisë kibernetike me Kievin.
Bashkimi Evropian dënoi gjithashtu të premten sulmin masiv kibernetik ndaj një numri faqesh të qeverisë ukrainase. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borrell tha se kishte thirrur një takim urgjent për të “parë mundësitë për reagim dhe se si mund t’i ofrohet ndihmë teknike Ukrainës në mënyrë që të rrisë kapacitetin e saj mbrojtës”.
Faqet e internetit të 7 agjencive, asaj të Thesarit, Shërbimit Kombëtar të Emergjencave dhe faqet në internet të shërbimeve shtetërore, ku ruhen pasaportat elektronike dhe certifikatat e vaksinimit për shtetasit ukrainas, ishin të padisponueshme të premten si rezultat i sulmit kibernetik.
Në këto faqe internet lexohej një mesazh në gjuhën ukrainase, ruse dhe atë polake ku ndër të tjera thuhej: “Frikësohuni dhe përgatituni për më të keqen. Kjo është për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tuaj”.
Shërbimi Shtetëror i Komunikimit dhe Mbrojtjes së Informacionit të Ukrainës tha të dhënat personale ishin të sigurta, pasi “regjistrat nuk janë prekur nga hakerimi”.
Sulmi kibernetik vjen ndërsa Rusia, e cila ka dislokuar më shumë se 100 mijë trupa në kufi me fqinjin e saj Ukrainën, publikoi pamje televizive të një stërvitjeje ushtarake./VOA