Nikola Jokiç po sfidon kampionët më të mëdhenj të basketbollit amerikan. Lojtari europian ndihmoi përsëri në fitoren e Denverit.
Një yll i ri kërkon të jetë më i miri i “tripëll dabëllit”. Ndër lojtarët aktivë, më të mirët në këtë statistikë janë Rasëll Uestbruk me 127 dhe Lebron Xhejms me 78, në distancë në vend të tretë është Xhejms Harden me 41 të tillë, Nikola Jokiç po afrohet me shpejtësi.
Serbi 23-vjeçar realizoi tripëll dabëllin e radhës në fitoren ndaj Sakramentos, në një tjetër paraqitje të nivelit tepër të lartë teknik.
Jokiç ka tani 28 tripëll dabëlla, ndërsa luan në NBA me Denverin, një nga skuadrat më të mira të sezonit.
Me këtë ritëm, ai pritet që të kalojë jo vetëm Hardenin dhe Lebronin, por pse jo, të pretendojë për treshen e parë, ku ndodhen Oskar Robertsoni, Mexhik Xhonsoni dhe Uestbruku.
Ylli i Denverit po luan sezonin e tij të katërt, dhe më të mirin deri tani, me 11 tripëll dabëlla.
Thuajse askush nuk priste që ai të arrinte deri këtu, ndërsa dyshimet ishin të mëdha për shkak të asaj që quhej ngadalësi në veprime, në kontrast me shpejtësinë e lojës në NBA.
Ndaj Sakramentos, lojtari qendër shënoi 20 pikë, kapi 18 topa në tabela dhe shërbeu 11 asistë, përfshi edhe koshin vendimtar të sekondës së fundit.
Denveri fitoi 120-118 dhe mbetet në vend të dytë në Perëndim, me 39 fitore e 18 humbje, jo larg kampiones Golden Stejt. /abcnews.al