Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj iu premton banorëve të kryeqytetit se mandatin tjetër në krye të bashkisë vemendje do t’i kushtojë shtimit të këndeve të lojërave dhe hapësirave çlodhëse mes pallateve. Veliaj e bëri këtë deklaratë pasi inspektoi punimet e kryera për transformimin e një blloku banimi në Qesarakë.
Erion Veliaj shpreson për një tjetër mandat në krye të bashkisë së Tiranës ndërsa thotë se ka planifikuar prioritetet e punës së tij.
“Besoj e kemi mbajtur një premtim, që nga dita e parë, se çdo muaj do të kishim nga një kënd lojrash: kemi kaluar 40 muaj dhe kemi ndërtuar mbi 40 kënde lojërash në Tiranë. Po mobilizohemi që mandatin tjetër, të kemi edhe më shumë kënde lojrash, edhe mikro-hapësira mes pallateve”.
Synimin e shprehu pasi inspektoi punimet e kryera për të shndërruar këtë hapësirë në zonën e Qesarakës.
“Kur më kujtohet se si Përroi i Gjerozës ka qenë në fakt një landfill urban, ku të gjitha plehrat që vinin nga pallatet derdheshin në përrua, sot përroi kalon poshtë sheshit dhe sipër kemi fituar hapësirë, e cila përdoret sigurisht edhe për kalimin e makinave, por kryesisht është një hapësirë cilësore, dinjitoze, e gjelbër, me kënde lojrash. Këtu komuniteti mund të kalojë kohë të lirë, të shëmbejë energji me njeri-tjetrin, ku mund të shihemi dhe të ruajmë atë që është intimiteti i lagjes”.
Kryebashkiaku përfitoi nga ky rast për t’i bërë thirrje qytetarëve që banojnë në këtë zonë të zhvendosin dhe gjendjen civile pasi në këtë mënyrë llogaritë bëhen më mirë.
“Tani që kemi një qendër të re administrative në zonën e Freskut, ish Fizikës Bërthmore dhe në Prroin e Gjerozës, do të doja të ftoja të gjithë qytetarët, që të shohim më shumë produkte të tilla, duhet të regjistrohemi këtu, se në momentin që kjo zonë u shërben 8000 banorëve, por të regjistruar janë vetëm 80, do të thotë se nuk justifikon dot investime në të ardhmen.Ndaj, lipset që të gjithë banorët, pavarësisht nga kanë ardhur në Shqipëri, të regjistrohen falas në njësi, që buxhetet të vijnë në rritje për gjithë zonën e Freskut dhe banorët e mrekullueshëm”.
Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës hapi zyrat e reja të Njësisë Nr. 12 me qëllim afrimin e shërbimit më pranë qytetarëve./abcnews.al