Çështja e Dritan Dajtit ndoshta është nga ato rastet që mund të quhet një ngjarje e mirëfilltë hollivudiane. Për gazetarin Armand Bajrami, ngjyrat e personazhit “hollivudian”, Dajti i ka marrë që në vitin 2003 kur u arratis nga Gjykata e Tiranës.
“Ngjyresat e hollivudianit Dritan Dajti i ka marrë që në 2003 nga arratia nga Gjykata e Tiranës. Ka qenë një skenar më shumë sesa për një film hollivudian. Nga salla e gjyqit, nga seanca e radhës që kishte në Gjykatën e Tiranës ka gjetur një pistoletë, e cila ishte vendosur më herët në tualetin e gjykatës dhe ka dalë me armën në dorë dhe madje është përballur me prokurorin e çështjes në korridor dhe ka pasur një të shtënë në ajër në atë moment.
Më pas, Dajti ka dalë nga gjykata dhe ka ikur në një motoçikletë që e priste tek dera e gjykatës dhe ka udhëtuar në sensin e kundër të lëvizjeve në Unazë. Bëhet fjalë për Gjykatën e Tiranës tek godina pranë Lanës dhe është ngjitur në drejtimin e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ndërkohë që automjetet e policisë shkonin në një drejtim të kundërt. Që nga ajo kohë ai vazhdoi të jetonte në arrati për disa vite më radhë deri në 2009, ku gjatë operacionit dhe përpjekjes së Policisë së Shtetit për ta arrestuar ndodhi ajo që ndodhi”, tha Bajrami në emisionin “Provokacija”./abcnews.al