Protesta e dhunshme, Mustafaj: “Gabimet” e Berishës dhe të Bashës, si po përfiton Rama

schedule19:55 - 10 Janar, 2022

schedule 19:55 - 10 Janar, 2022

Prokuroria e Tiranës i ka drejtuar hetimet për protestën e 8 janarit në selinë e Partisë Demokratike në 3 drejtime, ndërsa është duke bërë verifikime përmes kamerave të sigurisë dhe pamjeve të publikuara për çdo individ që është përfshirë në akte dhune dhe shkatërrim prone.

I ftuar në “Radarin Informativ” në Abc ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj u shpreh se e dënon dhunën gjatë protestës dhe mënyrën si u mbrojt selia blu. Për Mustafajn, këmbëngulja e Berishës për të marrë me çdo kusht selinë dhe këmbëngulja e Bashës për ta ruajtur si kështjellë, janë të dyja absurde. Protesta e vetme sipas tij duhet të ishte kundër kryeministrit Edi Rama.

“Sali Berisha ra në kurthin e Bashës. Ndërtesa e selisë është si të gjithë të tjerat e cila nuk jep dhe as nuk heq legjitimitet. Këmbëngulja e Berishës për ta marrë me çdo kusht dhe stërkëmbëngulja e Bashës për ta mbajtur si kështjellë janë absurde jo politike dhe jo produktive. Unë pashë një numër të madh demokratësh të zemëruar. Pashë një Bashë që se mendoja të ishte kaq jo politik, sepse përpjekja e tij për ta mbajtur vulën është jo politike. Që më 9 shtator Basha e ka filluar me një gjuhë jo politike. Basha duhet të jetë i bindur se legjitimitetin s’ia jep zyra as karrigia. Unë s’e prisja të përdorej gazi në asnjë mënyrë, sepse i kam besuar në njëfarë mase kur thoshte se s’ka blinde brenda s’janë blinduar dyert. Thoshte që vetëm kabina elektrike është metalike, na ka gënjyer. Pse duhej të mbrohej në atë mënyrë.

Pastaj Berisha s’mendoja se do shkonte me varre aty, apo të hipësh me shkallë asgjë nuk ishte dinjitoze. Unë besoja se Berisha do t’i sillte mbështetësit do mbante fjalimet e rastit, do i tregonte kamerave ku e ka katandisur selinë Basha dhe do kthehej që komisioni të vazhdonte kalendarin e tij. Unë besoj që protestat kryesore duhet të jenë kundër qeverisë dhe kryeministrit. Legjitimiteti s’mbahet me dhunë askush se ka mbajtur gjatë”, tha Mustafaj.

Teksa Basha është duke zhvilluar një mbledhje me kryesinë ku pritet të ketë dhe ndëshkime për Berishën dhe mbështetësit e tij, Mustafaj tha se sipas ij asnjë vendim që do merret në atë mbledhje s’ka më vlerë.

S’kanë asnjë vlerë ndëshkimet që merr Basha në atë mbledhje, kanë shkuar në atë pikë përplasje sa s’ka asnjë vlerë çfarë vendimesh merr Basha. Unë iu siguroj se një masë e madhe, pjesa më e madhe e anëtarësisë së PD pret çfarë rruge ndjek komisioni për Rithemelimin e PD. Unë jam votues në PD do shkoj të votoj dhe s’di ende kandidatët. Edhe vetë Berisha se ka të konfirmuar nëse do jetë, ka lënë të kuptohet ka thënë pse jo. Ne duhet të fillojmë fushatën për zgjedhjen e kryetarit të PD”.

Mustafaj ka dhënë edhe një mendim në lidhje me ndërhyrjen e policisë në protestë dhe reagimet e kryeministrit Rama. Këtë situatë në PD, Mustafaj thotë se Rama po e shfrytëzon.

Nga pikëpamja ligjore është e justifikuar ndërhyrja e policisë se është thirrur nga Basha. Rama po përpiqet ta denigrojë opozitën po tenton të shfaqet si babai i kombit, po përfiton nga çdo rast për ta konkretizuar urrejtjen e tij për opozitën”.

Teksa përjashtoi mundësinë për parti të re, me “rithemelim” të PD ai tha se kupton rithemelimin kuptimor dhe të emrit.

Nuk shoh tendenca nga Berisha për të  krijuar parti të re, rithemelimi i jep mundësi për t’u shfaqur me një emër të modifikuar ku ruhet PD dhe shtohet një fjalë tjetër. Rithemelimi ka kuptim programor e deri te emri. Ende s’e ka sqaruar Berisha se çfarë kupton me këtë”. be.k/abncews.al