Nga Ermal Vija
“ABC” ka siguruar fotot e katër personave janë vendosur në pranga, pasi akuzohen nga prokuroria se nxorën të dhënat e më shumë se 690 mijë qytetarëve. Policia arrestoi dy specialistët e IT-së, në Drejtorinë e Tatimeve, Eni Qirjako dhe Andi Agaraj si dhe 2 përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi, që i blenë të dhënat kundrejt shumave monetare që varionin nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë.
Në një dalje për mediat, kryeprokurorja e Tiranës Elizabeta Imeraj, tregoi edhe skemën se si vepruan katër të arrestuarit. “Specialistja e IT, e punësuar tek AKSHI ka pasur akses tek pagat, ka hyrë dhe i ka marrë të dhënat, i ka shpërndarë tek kolegu i saj, pa autorizim ua ka shitur subjekteve private” tha ajo.
Referuar dosjes hetimore, transferimi i të dhënave është bërë në periudha të ndryshme kohore, nga tetori i vitit 2020 deri në shtator të vitit 2021. Të dhënat dyshohet se janë nxjerrë nga databasa e sistemit CATS. Sipas dosjes hetimore që ABC e disponon, Qirjako është vënë në dijeni të shpërndarjes së pagave në dhjetor të vitit të kaluar, dhe ka konstatuar se data dhe ora e krijimit të file-ve që janë bërë publike përmes Whatsapit përkon me të dhënat që i ka dërguar kolegut të saj, Andi Agarat.
Për këtë ajo ka vënë në dijeni drejtorin e saj Ervin Muça, ndaj të cilit po zhvillohen hetime në gjendje të lirë. Kryeprokurorja Imeraj paralajmëroi edhe një tjetër hetim, pas publikimit të më shumë se 530 mijë targa të mjetesh të qytetarëve. “Kemi sekuestruar edhe serverat në DPRSHTR pas daljes së targave” tha ajo. Katër të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim dhe korrupsion, ndërsa prokuroria do ti kërkojë gjykatës që hetimet ndaj tyre të ndiqen nën masën e arrestit me burg.
/ Abcnews.al