Numri i refugjatëve që shkojnë me varka në Evropë po rritet

schedule08:20 - 5 Janar, 2022

schedule 08:20 - 5 Janar, 2022

Britania e Madhe dhe Spanja njoftojnë për rritje të numrit të refugjatëve që zbarkojnë në brigjet e tyre me anije. Po ashtu është rritur edhe numri i të vdekurve.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe në vitin 2021 arritën në mënyrë të paligjshme në brigjet britanike përmes Kananlit të Lamanshit më shumë se 28.300 vetë, tri herë më shumë se në vitin 2020. Rekordi ditor ishte më 11 nëntor me 1185 persona. Më 24 nëntor, vdiqën 27 vetë, sepse varka e tyre e mbipopulluar u mbyt.

Qeveria britanike dëshiron të rrisë dënimet për kontrabandistët e qenieve njerëzore dhe të forcojë legjislacionin e azilit. Një projektligj parashikon që hyrja e paligjshme të konsiderohet si vepër penale dhe të sanksionohet me dënime gjë që u krijon personave që kanë hyrë në vend disavantazh kur aplikojnë për azil.

Rritje e numrit të refugjatëve edhe në Spanjë

Edhe autoritetet spanjolle kanë raportuar se numri i refugjatëve që vijnë me varka është dyfishuar. Në vitin 2021 vdiqën gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë përmes detit më shumë se 4.400 emigrantë, shkruan organizata spanjolle e ndihmës “Caminando Fronteras” në raportin e saj vjetor.

Dyfishim i vdekjeve në krahasim me vitin 2020

Numri i të vdekurve është dyfishuar në krahasim me vitin 2020, kur vdiqën 2.170 emigrantë, tha organizata e ndihmës. Nuk ka pasur kurrë kaq shumë vdekje sa në vitin 2021. Vetëm në rrugën nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie, kanë gjetur vdekjen 4.016 vetë, thuhet në raportin e “Caminando Fronteras”.

Shifrat e organizatës spanjolle janë rreth tri herë e gjysmë më të larta se të Organizatës së OKB-së për Migracionin (IOM). E pyetur për këto dallime “Caminando Fronteras” tha se aktivistët e organizatës kishin kontakte të drejtpërdrejta me të mbijetuarit dhe me familjet e emigrantëve në Afrikë. /DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!