Erion Çela, 35 vjeç mbeti viktimë e një atentati pasditen e sotme në Tiranë. Ngjarja që tronditi kryeqytetin, duke shënuar të parën kronikë të zezë për vitin 2022 ndodhi në zonën e “Don Boskos”. Nga breshëria e kallashnikovit mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë.
Gazetarja Xhensila Kodra bën të ditur se viktima është pronar i një tabakino. Bëhet e ditur se 35-vjeçari ka ndryshuar emrin, pasi më herët është njohur si Adriatik Çela.
Mësohet se viktima priste të bëhej baba i një vajze. I plagosur ka mbetur po ashtu edhe vëllai i tij Blerim Çela 28 vjeç, i cili ka marrë plumba në këmbë dhe fytyrë si dhe daja, Edmond Crroji, 41 vjeç. Ata janë me origjinë nga Dibra dhe jetojnë në Tiranë.
Mësohet se mes të plagosurve është edhe kamerieri i lokalit ku ndodhi ngjarja, Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit ka marrë plagë në shpatull dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Si ndodhi ngjarja:
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:15, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë. Persona të armatosur të cilët lëviznin me një automjet tip “Mercedes E Class” të zi dhe vetëm njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga jashtë në drejtim të lokalit, ku ndodheshin të ulur në një tavolinë viktima dhe personat e tjerë. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Erion Çela si dhe janë plagosur katër të tjerë, të cilët janë dërguar te spitali i Traumës.
Sakaq, pasi kanë qëlluar me breshëri mjeti i autorëve është kthyer në vend dhe ka marrë po të njëjtën rrugë nga erdhi. Targat e makinës rezultojnë se janë të vjedhura nga një makinë Smart në Tiranë.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije viktimë mbeti Erion Çela, 35 vjeç. Të plagosurit janë: Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Crroji, 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit është kamarier i lokalit dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet cili ka qenë objektivi i këtij atentati.
g.v/abcnews.al