Vit i Ri “fytyrë” e re. 2022-shi e ka gjetur selinë e PD-së me disa ndryshime të vogla në fasadë. Dera e hyrjes kryesore dhe xhamat e selisë janë veshur sot me letër ngjitëse me logon dhe simbolet e PD. Në qendër duket puna për renovimin e logos së madhe të PD të vendosur në fasadën ballore të ndërtesës.
Gazetari i “ABC” Juxhin Mustafaraj sjell përmes fotove ndryshimin e pamjes së selisë së partisë më të madhe në opozitë, por që e mbylli vitin e vjetër dhe nisi të riun më e përçarë se kurrë.
Lëvizjet në seli vijnë vetëm dy ditë përpara skadimit të afatit të ultimatumit që Sali Berisha i vendosi Lulzim Bashës për t’u larguar nga godina deri në datë 5 janar, në të kundërt, ish-kryeministri paralajmëroi se “do ta largojmë butësisht” në protestën e datës 8 Janar.
Kryedemokrati e ka injoruar ultimatumin, por ka theksuar se PD zyrtare, i ka “gati të gjithë skenarët”. Dy palët pas Kuvendeve të 11 dhe 18 Dhjetorit s’e njohin njëra tjetrën dhe tashmë beteja është zhvendosur te përdorimi i forcës dhe gjykata./ Abcnews.al