Ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe Beograd: Ndaloni provokimet

schedule12:27 - 8 Shkurt, 2019

schedule 12:27 - 8 Shkurt, 2019

Tërheqja e taksës, ndalimi i provokimeve dhe rinisja e dialogut. Është ky apeli i përbashkët i ambasadorëve amerikanë në Prishtinë dhe Beograd për Kosovën dhe Serbinë.

Dy ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe Kyle Scott, me anë të një deklarate të përbashkët u shprehën se viti 2019 duhet të jetë vit i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tyre, Kosova duhet të marrë vendim për pezullimin e taksës, në mënyrë që të zhbllokohet dialogu, ndërsa Serbia duhet të ndërpresë qasjen bllokuese ndaj Kosovës.

Kosnett e Scott shtojnë ndër të tjera se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë mund të ketë shpresë së do të arrihet një marrëveshje historike për normalizimin e marërdhënieve mes dy vendeve në vitin 2019. Ata theksojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të caktojnë se cila do të jetë marrëveshja dhe nuk do të ndërhyjnë në atë se si do të duhet të jetë marrëveshja, duke saktësuar se çfarëdo marrëveshje që arrihet ndërmjet dy vendeve duhet t’i kontribuojë stabilitetit të rajonit dhe të burojë nga vullneti i popullit.

E për të arritur këtë marrëveshje, ata thonë se edhe Kosova edhe Serbia do të kenë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat po ashtu do të jenë edhe në rolin e garantit që çfarëdo marrëveshje që do të arrihet të zbatohet nga të dy palët. Scott e Kosnett theksojnë se nëse shpërdorohet ky rast për arritjen e një marrëveshjejë përfundimtare e historike do të jetë humbje e një mundësie historike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!