Thaçi për dialogun me Serbinë: Pa korrigjim kufijsh nuk ka njohje

schedule20:52 - 6 Shkurt, 2019

schedule 20:52 - 6 Shkurt, 2019

Presheva, Medvegja dhe Bujanovci janë ambicjet që Kosova synon të realizojë në bisedimet me Serbinë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, presidenti Hashim Thaçi e ka cilësuar të logjikshëm bashkimin e tyre me territorin e Kosovës, por ka refuzuar të deklarojë nëse nga ana e saj Prishtinës do t’i duhet të lëshojë komunat me shumicë serbe.

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se korrigjimi i kufijve është i vetmi opsion që Kosova dhe Serbia të ndahen me njohje reciproke nga procesi i dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Thaçi ka nënvizuar se çdo korrigjim do të bëhet duke mbrojtur interesat territoriale dhe pasuritë natyrore të Kosovës, përfshirë Trepçën, e cila së fundmi përflitet se mund të parashtrohet si çështje në tryezën e bisedimeve.

“Në fund, nuk ka njohje pa përcaktimin e qartë të kufijve ndërshtetërorë Kosovë-Serbi. Mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit në territorin e Kosovës, duke mos cënuar të gjitha resurset e Kosovës”.

Sa i takon taksës për produktet serbe, heqja e të cilës është kërkuar me insistim nga aleatët e Kosovës, Thaçi ka theksuar se mbështet mundësinë për një pezullimi të përkohshëm të saj.

“Kemi një këshillë insistuese nga SHBA dhe BE që të ketë një pezullim të përkohshëm, 2 ose 3-mujor, të taksës”.

Në vijim Thaçi ka refuzuar të japë një përgjigje konkrete nëse Kosovës do t’i duhet të lëshojë si këmbim komunat me shumicë serbe në veri të saj, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo temë të diskutohet në raundet e ardhshme të dialogut. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!