Katër zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë janë vënë në pranga, të dyshuar për abuzimet me disa tendera në vitet 2016-2017. Shkeljet e kryera, sipas prokurorisë kanë pasur edhe një dëm të madh financiar në buxhetin e shtetit.
Pas një hetimi më shumë se 6-mujor, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar ndalimin e katër zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët dyshohen se kanë abuzuar me tenderat. Në pranga përfundoi ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha; drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Aurel Lamçe dhe dy specialistët e IT-së, Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.
Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se shkeljet janë evidentuar fillimisht nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, e më pas dhe nga grupi i inspektimit të Ministrisë së Financave, lidhur me procedurat e disa tenderave në atë institucion gjatë periudhës 2016-2017.
Disa nga sistemet, si kamera sigurie, për burgun e Lezhës dhe Fushë-Krujës si edhe mirëmbajtja e rrjetit elektronik të çështjeve të përmbarimit nuk janë funksionale, thotë prokuroria e Tiranës.
Gjithashtu, ajo që u konsiderua edhe si një skandal në vitin 2017 në Ministrinë e Drejtësisë ka qenë edhe tenderi i mbikqyrjes elektronike në fushën penale. Organi i akuzës pohon se në hetim janë 12 persona, të cilët dyshohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera”.
Hetimet kanë pasur në fokus funksionarët publik që kanë qenë pjesë e njësive të prokurimit, komisioneve të verifikimit të ofertave dhe komisioneve për mbikqyrjen e zbatimit të kontratave.
Do të jetë Gjykata e Tiranës, e cila do të vendosë nëse ish- funksionarët e ndaluar të qëndrojnë në burg apo në ndonjë masë sigurie më të lehtë deri në përfundim të hetimeve. Ndërkohë shkeljet e evidentuara nga prokuroria kanë shkaktuar pasoja të mëdha për buxhetin e shtetit./abcnews.al