Vijojnë kërkimet për 49-vjeçarin Tefik Xhika që dyshohet të jetë mbytur mbrëmjen e djeshme në ujërat e lumit Drin në Dibër.
Mësohet se Xhika kishte lënë makinën tek lokali i fshatit Fushë-Alie dhe kishte shkuar për të peshkuar në lumin Drin. Siç shihet nga pamjet një palë atlete janë në buzë të lumit, që dyshohet se 49-vjeçari i ka hequr para se të nisë peshkimin.
Pasditen e djeshme dhe gjatë natës kanë kërkuar rreth 200 burra, dhe forcat e policisë, por pa rezultat. Kërkimet po vijojnë me gomone nga disa banorë në brigjet e Drinit. Mëngjesin e sotëm kanë rinisur kërkimet.
Për shkak të prurjeve të mëdha të lumit, banorët dhe forcat e rendit e kanë të vështirë kërkimin, ndërsa apelohet që të shkojnë grupet e specializuara të polumbarëve.
Dyshohet paraprakisht që 49-vjeçari të ketë rënë në ujërat e lumit Drin i Zi teksa ka qenë duke peshkuar në breg të tij. g.v /abcnews.al