Kryeministri Edi Rama prezantoi sot një nismë të re me qëllim hapjen e një procesi gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, qeveria do të zhvillojë një “kuvendim popullor” për t’i pyetur për cështje të ndryshme të shtëpisë sonë të përbashkët. Pyetja e parë, Edi Rama tha se do të lidhet me procesin e integrimit, nëse Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia në procesin e integrimit, duke qenë se vetoja bullgare për Shkupin po mban peng edhe Shqipërinë, pasi dy vendet e Ballkanit janë planifikuar të ecin së bashku drejt Brukselit.
“Anëtarësimi i Shqipërisë sot është i lidhur me një veto të vendosur mbi Maqedoninë nga një shtet i tretë dhe gjithmonë e më shumë ka një debat brenda vendit, i cili nuk mund të jetë jashtë vëmendjes së qeverisë dhe besoj është një burim i rëndësishëm për të vendosur për më tej nga qeveria sepse ka njerëz që thonë se aplikimi i Shqipërisë për në BE duhet të ndahet nga Maqedonia, që vendi ynë të vlerësohet për meritat e tij. Ka të tjerë që mendojnë se ne mund të presim dhe duhet të presim për ruajtjen e këtij kohezioni brenda rajonit dhe në funksion të marrëdhënies shumë të vecantë që kemi me Maqedoninë. Sot kemi përpara një 6 mujor që do të jetë me rëndësi të veçantë, ama ne duam tu drejtojmë shqiptarëve një pyetje; a duhet ne të vendosemi në pozitën e qartë në raport me të tjerët për të kërkuar hapur ndarjen nga Maqedonia, në rast se edhe 6 mujori i parë i vitit do të rezultojë njëlloj si tani?” tha Rama.
Kreu i qeverisë kishte një thirrje për të lënë sherrin dhe për të ecur përpara. “Në prag të një viti të ri vjen edhe kjo nismë e re për këshillimin kombëtar për Shqipërinë. Ne me një pyetësor, të cilin do ja vendosim në dispozicion të gjithë shqiptarëve, brenda apo jashtë vendit, do i japim jetë një kuvendimi popullor për të thithur mendimin për vendin, ekonominë dhe shoqërinë tonë. Është koha për të lënë pas llogoret e sherrit politik dhe për të menduar për gjërat që na bashkojnë përtej shumë gjërave që na ndajnë që të hedhim hapa të rëndësishëm përpara duke u këshilluar së bashku për vendime që kanë impakt në marrëdhëniet e shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë me jashtë, ekonominë, gjendjen sociale brenda shtëpisë dhe patjetër edhe në përpjekjen jetike për të thelluar arritjet dhe adresuar plagët e padrejtësisë në funksion të luftës për drejtësi” tha Rama./ Abcnews.al