Varianti Omicron mund t’i shpëtojë mbrojtjes imune të ofruar nga vaksinat, infektimit të mëparshëm nga Covid ose antitrupave monoklonale, sipas 5 studimeve të publikuara në revistën Nature.
Studimet laboratorike (jo-klinike), disa prej të cilave janë publikuar paraprakisht, nxjerrin në pah se personat që kanë qenë të infektuar me Covid-19, që janë vaksinuar plotësisht edhe ata që kanë marrë një dozë të tretë janë të rrezikuar nga varianti Omicron. Në të njëjtën kohë, varianti i ri duket se është plotësisht ose kryesisht rezistent ndaj të gjithë antitrupave monoklonalë që përdoren sot klinikisht, shkruajnë mediat e huaja.
Më i rëndësishmi nga pesë studimet, i udhëhequr nga David Ho, një profesor i mjekësisë në Universitetin e Kolumbisë në Nju Jork në bashkëpunim me shkencëtarët në Universitetin e Hong Kongut, ekzaminuan nëse antitrupat nga 54 persona të vaksinuar me Pfizer / BioNTech AstraZeneca dhe Johnson & Johnson mund të neutralizonin Omicron.
15 prej tyre kishin marrë gjithashtu një dozë përforcuese të vaksinës mRNA, ndërsa dy prej tyre kishin kaluar Covid-19. Antitrupat e prodhuara nga vaksinat reduktuan ndjeshëm efikasitetin në neutralizimin e Omicron në krahasim me variantet e tjera. Antitrupat nga infektimi natyral rezultuan më pak efektiv në neutralizimin e tij, kështu që këta persona janë më të rrezikuar nga riinfektimi, raporton abcnews.al
Ata që kanë marrë një dozë të tretë të një vaksinë mRNA (Pfizer / BioNTech ose Moderna) janë më të mbrojtur se ata që kanë marrë dy doza. Sipas ekspertit Ho, “Edhe doza e tretë mund të mos mbrojë në mënyrë adekuate kundër infeksionit, por që është e nevojshme ta marrim, pasi mund të rrisë imunitetin”.
Për sa i përket antitrupave monoklonalë, të cilët mund të parandalojnë që pacientët me koronavirus të sëmuren rëndë, studimi në 19 prej tyre nxori në pah se janë shumë më pak efektive kundër Omicron ose nuk janë fare. Sipas studiuesve është e nevojshme të zhvillohen vaksina dhe terapi të reja.
Mund të mjaftojë shfaqja e vetëm një ose dy varianteve të reja që koronavirusi të bëhet plotësisht rezistent ndaj antitrupave aktualë, ose atyre monoklonalë që përdoren në trajtime, ose antitrupave të zhvillohen nga vaksina ose nga infeksioni natyral.
/abcnews.al