Burime të besueshme të Gazetës Express brenda Policisë së Kosovës thanë se telefonata e pranuar nga një person se kishte vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë është realizuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas këtyre burimeve, dyshimet e para të policisë thonë se telefonata dyshohet të jetë realizuar nga Serbia. Sidoqoftë, kjo telefonatë ka bërë që të evakuuohet komplet Stacioni i Autobusëve, duke larguar punëtorët dhe qytetarët nga vendi i ngjarjes.
Për një kohë Stacioni i Autobusëve në Prishtinë qëndroi i rrethuar me shirita të policisë, më pas u lirua për qarkullim pasi aty nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
U.D., i Drejtorit të Stacionit të Autobusëve Arianit Grezda, tha se pas dy orësh punëtorët janë rikthyer sërish në vendet e tyre të punës dhe ka filluar edhe qarkullimi i autobusëve, kështu duke iu rikthyer normalitetit.
“Pas rreth 2 orësh jemi kthy të gjithë në punë, është normalizuar situata dhe autobusët janë duke qarkulluar”, tha Grezda për Express.
Për rastin në fjalë është deklaruar edhe Policia e Kosovës, “rreth orës 14:00, kemi pranuar një telefonatë anonime, përmes së cilës një person ka deklaruar se ka vendosur mjete shpërthyese në Stacionin e Autobusëve, në Prishtinë. Menjëherë policia ka ndërrmarë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka konfirmuar gjatë ditës policia.
Pas kësaj policia konfirmoi për Express se pas kontrolleve të kryera në vendin e ngjarjes nuk u gjet asgjë e dyshimtë, teksa rasti është cilësuar si “Lajmërim i rrjeshëm”.
“Informata është trajtuar nga ana e policisë. Pas kontrolleve të kryera nga njësitet kompetente, nuk është gjet asgjë e dyshimtë. Njësitet policore janë tërheq nga ajo zonë, ndërkohë që hetuesit kanë filluar punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast, i cili nga prokurori i shtetit është cilësuar si Lajmërim i rrejshëm”, thuhet në konfirmimin e policisë. /abcnews.al/