VMRO-DPMNE ka dorëzuar 83 amendamente për ligjin e zgjerimit të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni. Me anë të tyre opozita pretendon të ndërhyjë aty ku rrezikohet gjuha maqedonase.
Afati për dorëzimin e amendamenteve për ligjin për përdorimin e gjuhëve ka skaduar mbrëmjen e së hënës. Numri më i madh i tyre ka ardhur nga opozita. Mësohet se VMRO-DPMNE dorëzoi 83 amendamente për ligjin për gjuhët, LSDM katër dhe lëvizja besa dy amendamente. Partia opozitare që drejtohet nga Nikolla Gruevski thotë se me anë të amendamenteve do të ndërhyjë aty ku mendon se vihet në rrezik gjuha maqedonase.
LSDM tha se amendamentet do t’i parashtrojë në drejtim të pastrimit të dilemave rreth gjobave që parashikon ligji. Lëvizja Besa nënvizon se përmes amendamenteve do të kërkojë zyrtarizimin dhe jo vetëm avancimin e gjuhës shqipe në Maqedoni.
Më 22 nëntor projektligji për zgjerimin e gjuhës shqipe, në vendet ku popullsia shqiptare i kalon 20%, do të hyjë në rend dite në Komisionin për Çështje Evropiane. Pas tre ditëve, ai do të kalojë në Komisionin Juridiko-ligjvënës. Ndërsa më pas do të dërgohet sërish në seancë plenare për votim./abcnews.al