Bien hyrjet e turistëve të huaj në Shqipëri, rikthehen polakët dhe maqedonasit

schedule08:13 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 08:13 - 23 Dhjetor, 2021

Për periudhën janar- nëntor të këtij viti, në vend kanë hyrë gjithsej 5.4 milionë shtetas të huaj, pjesa më e madhe e të cilëve kanë ardhur në vend për arsye turizmi.

Ndonëse në dyfishim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur vendi për muaj të tërë ishte në karantinë dhe bllokim lëvizjeje, turizmi nuk i është rikthyer ende niveleve të parakrizës.

Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj për 11 mujorin ishin 11.4% më të ulëta se e njëjta periudhë e 2019-s, kur është shënuar dhe viti më i mirë historik sa i përket turizmit.

I vetmi shtet që ka shënuar rritje të hyrjeve në raport me para pandeminë është Kosova. Nga vendi fqinj kanë hyrë gjithsej për janar-nëntor 2.6 milionë shtetas, me rritje prej 18% në krahasim me 11 mujorin e 2019-s.

Për të njëjtën periudhë, hyrjet nga Maqedonia e Veriut shënuan një rënie prej 26%, nga Italia po me 26%, ndërsa tkurrja më e thellë është shënuar nga Greqia, me 55%.

Shtetasit nga Kosova kanë kompensuar dukshëm tkurrjen e turistëve nga vendet e tjera. Për 11 mujorin 2021, hyrjet e turistëve nga Kosova përbënin 47.3% të totalit, nga 35.4% në janar-nëntor 2019-n.

Në nëntor, në vend hynë gjithsej 244 mijë shtetas, me rënie prej 9% në krahasim me nëntorin e 2019-s. Krahas Kosovës, (+23%), për herë të parë që nga pandemia, në vend hynë më shumë shtetas nga Maqedonia e Veriut (+19%). Në rritje ishin dhe polakët (+57%), ndonëse numri i tyre mbetet i ulët në krahasim me vendet fqinjë (gati 80 herë më pak se hyrjet nga Kosova psh). Në rritje të lehtë ishin hyrjet nga Zvicra (5%), Gjermania (5%).

Greqia vijoi të kishte tkurrjen më të thellë të hyrjeve edhe në nëntor (-36%), si rrjedhojë e kërkesave të shtuara për të lëvizur nga pala greke.

Krahasimi me 2020

Sipas raportit të INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Nëntor 2021, janë 548.819. Krahasuar me Nëntor 2020, ky tregues rezulton me një rritje 52,3%. Në Nëntor 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 244.061. Krahasuar me Nëntor 2020, ky numër është rritur me 64,5%.

Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë njëmbëdhjetëmujorit të 2021, është 5.421.177, duke u rritur me 2,2 herë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Përgjatë njëmbëdhjetëmujorit të 2021, nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4,6 herë dhe Spanja me 4,5 herë, ndërsa Greqia ka pasur rritjen më të ulët me 22,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020

Daljet e shtetasve

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Nëntor 2021, janë 593.000 duke shënuar një rritje me 61,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Nëntor 2021, janë 313.058. Krahasuar me Nëntor 2020, ky numër është rritur me 50,4%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor 2021, janë 279.942. Krahasuar me Nëntor 2020, ky numër është rritur me 77,0%.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë njëmbëdhjetëmujorit të 2021, është 3.847.877. Ky tregues është rritur me 43,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!