Revoltohet kapiteni i Liverpool: Askush s’mendon për shëndetin tonë

schedule11:48 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 11:48 - 22 Dhjetor, 2021

Covid-19 po përhapet me shpejtësi në Angli dhe shumë ndeshje të Premier League janë shtyrë, për shkak të infektimeve të futbollistëve. Një prej lojtarëve kryesorë, kapiteni i Liverpool Jordan Henderson, ka ngritur zërin për shkak të mënyrës se si po menaxhohet gjithçka.

“Jam i shqetësuar, askush nuk e merr seriozisht mirëqenien e futbollistëve. Nuk besoj se njerëzit e kuptojnë se sa e vështirë është, nëse nuk e provojnë në kurrizin e tyre.

Futbolli për ne është gjithçka dhe duam që të jemi në gjendje që të luajmë në nivelet më të larta sa herë që zbresim në fushë. Por për fat të keq në këtë periudhë është e vështirë. Ka disa vite kështu dhe ka qenë shumë e vështirë për ne, por tani me Covid-19 gjithçka bëhet akoma më e vështirë.

Askush nuk do t’ia dijë për shëndetin e futbollistëve. Duhet të merren vendimet e duhura. Nuk mendoj se në këto momente lojtarët marrin respektin që meritojnë. Duhet të dalë dikush dhe të thotë qartë se kjo nuk është e drejtë për shëndetin e lojtarëve”. / oversport.tv