Gjatë konferencës për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të “Ballkanit të Hapur”, kryeministri Edi Rama u shpreh se këto marrëveshje janë një realitet i prekshëm në 2022.
“Më vjen mirë të informoj publikun se kemi nënshkruar disa marrëveshje që janë finalizimi i një pune të përbashkët intensive dhe që si jo gjithmonë për vetë natyrën e marrëveshjeve këto marrëveshje të firmosura sot janë një realitet i prekshëm nesër, dhe jo nesër në të ardhmen por nesër me hyrjen e vitit të ri 2022.
Marrëveshja për tregun e lirë të punës që sanksionon mundësinë e lirë për të pasur akses të menjëhershëm dhe barabartë për lejet e punës dhe të qëndrimit, marrëveshja për sistemin e integruar elektronik të shërbimeve e cila hap rrugën krijimit të një sistemi të përbashkët elektronik për t’u dhënë mundësi të gjithë shqiptarëve që duan të marrin shërbime të caktuara duke filluar nga aplikimit për tu regjistruar si të pranishëm në vendin tjetër apo leje pune ta bëjnë këtë pa lëvizur nga shtëpia apo vendndodhja e tyre përmes smartfonit.
Marrëveshjet ene bllok për ti hapur rrugën të gjithë atyre që prej vitesh ndërveprojnë mes këtyre vendeve si prodhues si eksportues si importues produktesh dhe që kanë një histori të vështirë pritjesh radhësh verifikimesh riverifikimesh duke bërë të mundur që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive pa pasur nevojë që të sigurojnë 3 herë të njëjtat dokumentar, ato që lidhen me eksport importin e produkteve“, tha Rama.
Kryeministri tha se është çelur për herë të parë eksporti i produkteve blegtorale, duke e konsideruar këtë një lajm të shumëpritur.
“Marrëveshja bën të mundur që për herë të parë të çelet eksporti i produkteve blegtorale ku përfshihet dhe ai i kafshëve të gjalla në bazë të reciprocitetit, që në këtë rast për tregtuesin funksionojnë si një. Është lajm i shumëpritur nga ata që janë në fushën e prodhimeve blegtorale dhe të prodhimit të mishit sepse s’mund ta bëjnë këtë me asnjë nga vendet e BE. Të gjitha vendet tona janë super të interesuara për tregje të reja. Këto janë marrëveshje që janë as më shumë as më pak por marrëveshjet e tregut të përbashkët mes vendeve anëtare të BE bazuar në të njëjtat parime dhe nevoja të fermerëve dhe të tregut të përbashkët rajonal që përdoret si alibi kundër Ballkanit të hapur por në fakt mund të arrihet të jetësohet vetëm përmes Ballkanit të hapur“, shtoi ai. be.k/abcnews.al