Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi u shpreh sot se në atë që Sali Berisha e cilësoi si referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës nuk votuan anëtarët e PD-së, por zyrtarë të LSI-së, njerëz të Tom Doshit dhe ish-kandidatët të partisë së Jozefina Topallit.
“Mund t’ju them se ka votuar një kryetar i LSI në Qarkun e Fierit. Në 92-shin ka qenë anëtar, në këtë kohë ka ndërruar disa parti, por ka shkuar të votojë me kartën e 92-shit, megjithëse është kryetar i LSI për Divjakën. Partia ka rregulla të qarta në statut kush quhet anëtar. Në dijeni tuaj, kanë votuar edhe drejtorë të emëruar nga Edi Rama, që kanë hequr demokratë nga puna” tha ai.
Lexo edhe: Bardhi lexon emrat e delegatëve të Kuvendit të 18 Dhjetorit: Po bëjmë transparencë
Ai kishte një përgjigje edhe Voltana Ademin që nuk e gjeti emrin në listë ditën e shtunë. “Kryetarja e baskisë Shkodër nuk e gjen emrin në listë. Ata nuk janë listat e anëtarëve të PD-së prandaj nuk i kanë gjetur emrat. Jo kushdo që mban një teserë partie ka të drejtë vote. Nëse nuk merr pjesë në 6 muajt e fundit në mbledhjet e seksionit nuk ke të drejtë vote” tha ai.
Edhe për Kuvendin Kombëtar të Sali Berishës ai tha se mes atyre që u tha se ishin delegatë kishte njerëz të Tom Doshit dhe kandidatë të partisë së Topallit.
“U premtua transparence prej zotit Berisha, por gazetaret nuk u lejuan as të futeshin në stadium. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Nuk ju lejuan sepse në stadium do të gjenit kandidatë të Jozefina Topallit të futur si delegatë, njerëz të Tom Doshit, të futur si delegatë. Përgjegjësia jonë është të bëjmë transparencë për opinionin publik” tha ai./ Abcnews.al