Eksportet shqiptare “kalojnë” krizën e pandemisë

schedule19:05 - 18 Dhjetor, 2021

schedule 19:05 - 18 Dhjetor, 2021

Eksportet shqiptare i rikthehen trendit rritës. Gjatë periudhës janar-nëntor Shqipëria ka eksportuar 337 miliardë lekë mallra duke tejkaluar krizën e krijuar nga pandemia.

Në këtë njëmbëdhjetë mujor eksportet e mallrave u rritën  me 35,4 % duke rritur të ardhurat për ekonominë shqiptare. Përmirësim ka pasur tregtia rajonale, ku sipas të dhënave të INSTAT Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mbi 35 mld lekë mallra gjatë periudhës janar-nëntor 2021  ose 11 miliardë lekë më tepër nëse e krahasojmë me një vit më parë . Shkëmbimet  tregtare me këtë vend jo vetëm kanë kapërcyer problemet e pandemisë por i janë rikthyer ritmeve të rritjes para karantinës që kufizoi lëvizjet.

Me Kosovën rritje kanë njohur edhe importet e mallrave të cilat në 11 muaj kapin një  vlerë prej  12.6 miliardë lekë, ose 5.2 miliardë lekë më shumë . Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë edhe Spanja me 44 %  si dhe Italia me 24,3 %.

Grupet që kanë  ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,7 pikë   përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +10,7 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me  +3,3 pikë përqindje, pavarësisht përmirësimit duket se fasonët vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë dhe kufizimeve të vendosura në Evropë.

Në 11 muaj ky zë ka pësuar një rritje me 8.7% por nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë   shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 7% më të ulëta në raport me 11 mujorin normal të 2019-s. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!