Në takimin e Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës lidhur me COVID-19 u vlerësua se situata epidemiologjike është e qetë, por se kjo nuk guxon të shndërrohet në neglizhim të masave në fuqi kundër COVID-19.
Në këtë takim kryeministri Albin Kurti tha zbatimi i masave kundër COVID-19 është çështje urgjente dhe se çfarëdo lirimi i masave është i lidhur me zbatimin e masave në fuqi.
Kryeministri tërhoqi vërejtje se prania e variantit Omicron në shtete të ndryshme dhe mos-respektimi i masave në fuqi mund t’i përmbysë arritjet e deritanishme në luftën kundër COVID-19.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se zbatimi me disiplinë i masave në fuqi, të cilat janë proporcionale në raport me gjendjen ekzistuese epidemiologjike do të ketë dy rezultate të prekshme.
“Do ta na ndihmojë të mbajmë numrin e rasteve sa më të vogël, duke mos e ngarkuar personelin dhe infrastrukturën spitalore, rrjedhimisht edhe uljen e shpenzimeve kundër COVID-19 dhe do të ndikojë në nxitjen e vaksinimit të mëtejmë të popullatës me vaksinën kundër COVID-19, në veçanti të asaj kategorie që për arsye të ndryshme ende nuk ka marrë dozën e parë apo të dytë të vaksinës”, tha Latifi.
Ministri ka folur edhe për rëndësinë e fuqizimit të vaksinimit kundër COVID-19, duke i bërë thirrje popullatës që të vaksinohen dhe ta kompletojnë këtë proces të rëndësishëm, në këtë kohë, kur varianti Omicron është regjistruar në disa shtete dhe përhapja e tij është mjaft e shpejtë.