Qëllohet me armë godina e Njësisë Administrative në Lezhë (Video)

schedule11:06 - 1 Shkurt, 2019

schedule 11:06 - 1 Shkurt, 2019

Persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri godinën e Njësisë Administrative në Blinisht të Lezhës. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës dhe nuk ka të lënduar. E njëjta godinë është qëlluar me armë edhe në vitin 2015, por ngjarja ka mbetur pa autor.

Breshëri automatiku janë lëshuar mbi zyrat e Njësisë Adminitrative të Blinishtit në Lezhë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 2:00 mëngjesin e së premtes. Autorët kanë qëlluar në pjesën e përparme të godinës.

Banorët e zonës sapo dëgjuan të shtënat njoftuan menjëherë policinë. Blutë nisën hetimet, ndërkohë që në lidhje me ngjarjen u shoqëruan disa persona në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Gjithashtu grupi hetimor mori në pyetje drejtuesin si dhe punonjësit e Njësisë Administrative të Blinishtit. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 10 gëzhoja automatiku. Për ngjarjen ka reaguar edhe Bashkia e Lezhës nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat. Në këtë njoftim thuhet se Bashkia Lezhë dënon aktin duke sqaruar se ngjarja nuk ka lidhje me shërbimin e administratës.

Nga verifikimi i regjistrave dhe protokollit nuk është dokumentuar asnjë ankesë e banorëve të kësaj zone për shërbimin e njësisë. Ndërsa nga inventari brenda godinës nuk është dëmtuar asnjë dokumentacion thuhet në njoftimin e bashkisë, e cila i ka bërë thirrje Policisë që të zbulojë sa më parë autorët.
E njëjta ngjarje ka ndodhur dhe më datë 30 Maj të vitit 2015, teksa godina në fjalë në të cilat ishin zyrat e Komunës Blinisht u qëllua me breshëri automatiku nga persona të paidentifikuar.