Një defekt që ka ndodhur në softuerin “Log4j”, i cili përdoret gjerësisht ka bërë që ekspertët e sigurisë kibernetike të ngrenë alarmin dhe kompanitë e mëdha të përpiqen për të rregulluar problemin. Dobësia në softuerin që përdoret për konfigurimin e disa prej aplikacioneve më të famshme në botë u zbulua javën e kaluar. Ky defekt do rrezikojë përdoruesit nga sulmet kibernetike.
“Log4j” është i instaluar në sistemin “Cloud” të “Apple”, sistemin elektronik të kompanisë së sigurisë “Cloudflare” dhe në një nga lojërat më të famshme në botë “Minecraft” raporton “CNN”. Kreu i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës në SHBA deklaroi, se një grup hakerash po përpiqen që të shfrytëzojnë dobësinë e softuerit.
Firma kibernetike “Check Point” deklaroi që mbi 100 sulme kibernetike po ndodhin në minutë kundër softuerit. Drejtuesi i firmës së sigurisë kibernetike “TrustedSec” David Kennedy mendon, se do të duhen vite për ta trajtuar këtë problem dhe kjo është një bombë me sahat për kompanitë. / abcnews.al