“Politika e ndërrimit të bravës”, Ivi Kaso: Janë ngritur qendrat e votimit për referendumin

schedule23:13 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 23:13 - 14 Dhjetor, 2021

Ish-sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, aktualisht anëtar i “Komisionit të Rithemelimit” Ivi Kaso deklaroi në “Log.” në ABC se janë marrë masat për referendumin e paralajmëruar për datën 18 Dhjetor. Kaso deklaroi se janë ngritur qendrat e votimit ndërsa akuzoi kreun e PD se ka nisur një ofensivë shkarkimesh të zyrtarëve që kanë qenë prezentë në Kuvendin e datës 11 Dhjetor.

“Është diçka e zgjidhur. Pavarësisht se nuk është detyrim statutor, Kuvendi Kombëtar e ka detyrim të shkarkojë veten. Kjo çështje do i shtohet anëtarësisë. Masat logjistike janë marrë. Janë ngritur qendrat e votimit. Ka nisur një ofensivë shkarkimesh të zyrtarëve që kanë qenë prezent në Kuvendin e datës 11”, u shpreh Kaso.

Ai theksoi se degët janë sensibilizuar se kush e drejton tashmë Partinë Demokratike dhe sipas tij nuk i njohin vendimet e sekretariatit të shkarkuar.

“Jemi kthyer te politika e ndërrimit të bravës natës dhe moslënies së anëtarësisë që të futet në zyrat e saj. Masat janë marrë. Degët janë sensibilizuar se nga kush drejtohet nga PD dhe nuk i njohin vendimet e sekretariatit të shkarkuar. Me datë 18 në darkë çdo gjë do të jetë e qartë dhe në fund të marrim vesh se kush e gëzon mbështetjen e Partisë Demokratike”, u shpreh ai.

Më 11 Dhjetor, Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha, shkarkoi me votë të fshehtë kryedemokratin Lulzim Basha. Tashmë ky vendim është njoftuar të hidhet në referendum në datën 18 Dhjetor, ditë kur kreu i PD ka njoftuar mbledhjen e Kuvendit me sloganin: Zgjedhim të ardhmen. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!