Detaje të tjera kanë dalë nga vrasja e 29-vjeçarit Jurgen Duka pak pas mesnatës së sotme në një market në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Siç duket edhe në videon e siguruar nga gazetarja Xhensila Kodra për abcnews.al, në market kanë qenë pesë të rinj dhe pronari i marketit.
Në një moment, kur autori i dyshuar i ngjarjes ishte në radhë duke pritur që të paguante për çfarë kishte blerë, aty i futën Jurgen Duka dhe një tjetër persona duke vendosur disa birra në banak me qëllim kalimin e tyre në kasë.
Lexo edhe: U qëllua pas sherrit në market, zbardhet dinamika e ngjarjes, plumbi e kapi të riun në zemër
Në këtë moment ka reaguar autori i dyshuar i ngjarjes, i cili i ka kërkuar llogari Dukës dhe shokut të tij për veprimin e bërë. Në këtë moment nis edhe një përplasje e shkurtër fizike, pas të cilës autori i dyshuar i ngjarjes nxjerr armën nga çanta që mbante me vetë duke qëlluar në drejtim të dy të rinjve.
Plumbat kanë kapur Jurgen Dukën, ndërsa shoku i tij largohet me vrap. Pas të shtënave të gjithë dalin me vrap nga marketi, ndërsa pronari zgjatet dhe sheh Jurgën Dukën të shtrirë në ambientet e pronës së tij.
Pak minuta më vonë në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia duke ndaluar shokun e Jurgën Dukës, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është shpallur në kërkim.
Lexo edhe: “Radhën e kam unë”, si u vra 29-vjeçari në market: Zbardhet dëshmia e shokut
Në dëshminë e parë në polici, shoku i Jurgën Dukës tregon se shkaku i sherrit ishte radha në markët.
Sipas policisë, nga verifikimet e kryera rezulton se viktima është person me precedent të mëparshëm kriminale.
Ai ka qenë i dënuar për falsifikim të monedhave dhe në vitin 2016 Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burg.
Ndërkohë, 29-vjeçari ka pasur edhe dënime të tjera për vepra të ndryshme penale.
Konkretisht, Jurgen Duka ka qenë i dënuar edhe për heqje të paligjshme të lirisë dhe përndjekje në vitin 2017, për të cilat është dënuar me 4 muaj burg.
Gjithashtu në vitin 2013 ka qenë i proceduar në gjendje të lirë për mashtrim dhe në vitin 2014 për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë. /abcnews.al