ILD propozon shkarkimin e prokurorit Shkëlqim Kokana, nis seanca dëgjimore në KLP

schedule13:18 - 13 Dhjetor, 2021

schedule 13:18 - 13 Dhjetor, 2021

Mbi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për procedim disiplinor me masën “shkarkim nga detyra”, për magjistratin Shkëlqim Kokana., për shkelje të rënda profesionale, që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar hetimin disiplinor, i nisur pas një informacioni të Prokurorit të Përgjithshëm për shkelje procedurale gjatë veprimtarisë hetimore, përfaqësimit të ndjekjes penale në gjykim, si dhe për shkelje të normave etike nga ana e prokurorit Shkëlqim Kokana., prokuror në Prokurorinë pranë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë mbi veprimtarinë hetimore të magjistratit në periudhën 2018-2021, provohet se:

 

  • Magjistrati ka sjellje të përsëritur refuzuese në mosmarrjen në dorëzim të dosjeve.
  • Ka mospjesëmarrje të përsëritur në seanca gjyqësore, duke shkaktuar shtyrje të gjykimit, apo cënim të drejtëpërdrejtë të të drejtës së personit për të kërkuar lirinë e tij, duke mos marrë pjesë në seanca për shuarjen e masës së sigurimit.
  • Ka kryer përfundim të çështjeve me vendim si prokuror, pa proceduar me kalimin e tyre me kërkesë në gjykatë.
  • Mosnxjerrja në 28 raste (2019-2021), e urdhërave për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të dënimit me burgim për të cilat është aplikuar pezullimi i ekzekutimit me kusht.
  • Nga ana e magjistratit SH.K., ka patur shkelje të përsëritur dhe të rëndë të rregullave të solemnitetit, rregullave të mirësjelljes në marrëdhëniet me palët, me drejtuesit e prokurorisë, me gjyqtarët, me oficerë të policisë gjyqësore, si dhe me personelin e adminstratës së prokurorisë dhe të gjykatës.
  • Shkeljet disiplinore nga ana e magjistratit me eksperiencë prej 28 vitesh në punë janë kryer me dashje direkte, gjë që gjen pasqyrim në veprimet e tij, në të gjitha episodet e përshkruara në raportin e hetimit të ILD.
  • Këto sjelljet e përsëritura të magjistratit përbëjnë rrethanë rënduese, në kushtet kur ndaj tij ishte marrë më parë një masë disiplinore “Vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra”, pikërisht për shkelje të kryera gjatë përfaqësimit në gjykim të një çështje penale dhe për komunikimin me drejtuesin në shkelje të rregullave mbi etikën dhe sjelljen e prokurorëve.
  • Sjelljet e magjistratit kanë sjellë shkelje të rënda profesionale dhe diskretitim të pozitës dhe figurës së prokurorit, si dhe kanë cënuar besimin e publikut te drejtësia.

 

Për sa më sipër, i kërkohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë pranimi i kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Shkëlqim Kokana., me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 148/d pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni  102, pika 1 shkronja “b” nënpika “ii”, neni 102 pika 1 shkronja “ç”, “d”, “dh”, “g” dhe neni 102 pika 2 shkronja “a” dhe “dh” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të  ndryshuar, dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

Vijon…/abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!