Fieri pa ujë, drejtori: Nesër fillon furnizimi, por vetëm për higjienë

schedule17:33 - 12 Dhjetor, 2021

schedule 17:33 - 12 Dhjetor, 2021

Qyteti i Fierit po përballet me pasoja të rënda nga dalja nga shtrati e lumit të Vjosës. Raportohet se prej disa orësh qyteti nuk është furnizuar me ujë të pijshëm. Lidhur me këtë situatë ka pasur një reagim nga Drejtori i Ujësjellësit të Fierit, Petrit Kanani i cili është shprehur se po punohet që situata të kthehet në normalizim.

Kanani ka theksuar se mungesa e ujit ka ardhur si pasojë e bllokimit të puseve nga prurjet e lumit të Vjosës që doli nga shtrati.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për reduktimin që do kemi me furnizimin e tyre me ujë. Dhe për mos pasjen në këto momente furnizimin me ujë. Sot gjatë ditës kanë pasur furnizojmë të reduktuar me ujë, ka qenë uji i djeshëm dhe ka qenë i reduktuar. Kjo situatë me Vjosën, preku edhe ujësjellësin. Është në gatishmëri të plotë dhe po presim tërheqjen e Vjosës për të pastruar puset dhe të furnizojmë qytetarët” tha Kanani. 

Më tej Kanani është shprehur se pritet që ditën e nesërme nëse ujërat e lumit të Vjosës tërhiqen do mund të furnizojnë qytetin me ujë. Ai ka bërë apel që uji në çezmat e qytetarëve të përdoret vetëm për higjienë dhe jo për konsum.

“Besoj se nëse do tërhiqet Vjosa do punojmë edhe natën me pastrimin e puseve dhe nesër besojmë që do kemi furnizim. Por uji, do jetë për përdorim sanitar dhe jo të pijshëm. Jemi në monitorim me DSHP deri në njoftim të dytë pasi tani për tani do jetë vetëm uji për pastrim sanitar.” tha Kanani. /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!