Meta në Maqedoni, takime me krerët e partive politike shqiptare e Gruevskin 

schedule11:27 - 21 Nëntor, 2017

schedule 11:27 - 21 Nëntor, 2017

Në vijim të vizitës zyrtare në Maqedoni, Presidenti Ilir Meta ka patur takime me krerët e partive politike shqiptare si dhe me kreun e VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski. Presidenti zhvilloi dhe një vizitë në qytetin e Manastirit.

Rolin kyç të faktorit shqiptar për harmoninë ndëretnike në Maqedoni Presidenti Ilir Meta e vuri në qendër të bisedimeve me kreun e BDI Ali Ahmeti, atë të BESA-s Bilal Kasami, Zijadin Selën e Aleancës për Shqiptarët dhe Menduh Thaçin e PDSH-së. Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e veçantë të bashkëpunimit të të gjithë faktorëve politikë për integrimin euro atlantik të shtetit të Maqedonisë.
Presidenti Ilir Meta takoi edhe ish-kryeministrin e Maqedonisë, kreun e VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski me të cilin diskutoi mbi rolin e rëndësishëm që ka opozita e një vendi në proceset integruese.
Vizita e Presidentit të Shqipërisë në Maqedoni përkon edhe me Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Kreu i shteti shqiptar ishte në Manastir ku u mikprit nga kryetarja e komunës dhe zëvendëskryeminsitri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Mesazhin e tij e ndau me të pranishmit në sipoziumin e zhvilluar me rastin e 109 vjetorit të ngjarjes së shënuar për kombin shqiptar.

“Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.
Me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Me këtë alfabet u hartua edhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe neni për mbrojtjen e shqiptarëve kudo ata ndodhen, por edhe traktatet e miqësisë mes vendet fqinje.
Me këtë alfabet, ne shqiptarët do të shkruajmë edhe ardhmërinë e sigurt e të plotë të të gjithë shqiptarëve. Ky është thesari më i çmuar dhe trashëgimia më e rëndësishme që të parët tanë e fituan me shumë mundim dhe në kohë të vështira për kombin tonë”.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi vendimin për restaurimin e godinës historike të Kongresit të Manastirit si një nismë që do ti rikthejë rëndësinë historike dhe muzeale./abcnews.al