Mesazhi i veçantë i Yuri Kim me “Bukuroshen e Durrësit”

schedule14:35 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 14:35 - 7 Dhjetor, 2021

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, me veshjen e saj ka përcjellë një mesazh të bukur sot nga Durrësi, ku ishte e pranishme me rastin e rivendosjes së një pjesë të murit rrethues të Kalasë së Durrësit, e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ambasadorja mbante veshur një pallto, gjysma e së cilës ishte e qëndisur me figurën e Bukuroshes së Durrësit.

Bukuroshja e Durrësit është një mozaik polikromatik i shekullit IV p.e.s. dhe është mozaiku më i lashtë dhe më i rëndësishëm i zbuluar ndonjëherë në Shqipëri.  Mozaiku u zbulua për herë të parë në vitin 1916, kur një grup ushtarakësh austriakë, mes të cilëve edhe arkeologu Camillo Prashnicher, zbuluan gjatë hapjes së një transheje 150 metra larg qendrës së sotme të qytetit një shtresë mozaiku, e cila u quajt një “kryevepër figurative e artit”.

Punimi i veçantë dhe shumë delikat, sidomos fytyra engjëllore e gruas, e ka bërë këtë mozaik shumë të famshëm, duke e kthyer në një nga simbolet e qytetit. Nëpërmjet linjave të zeza dhe gri evidentohen qartë konturet e hundës, mjekrës, syve dhe gojës. Që nga viti 1982 “Bukuroshja e Durrësit” është ekspozuar edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Lexo edhe: Kim nga Durrësi: Shqipëria ka histori të pasur, rindërtimi të vijojë

Për restaurimin e Kalasë së Durrësit ka financuar qeveria amerikane. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!