SHBA, thirret për të dëshmuar ish-avokati i Trump

schedule23:46 - 24 Janar, 2019

schedule 23:46 - 24 Janar, 2019

Një komision i Senatit amerikan ka thirrur për të dëshmuar ish-avokatin e presidentit Donald Trump, Majkëll Kohen. Thirrja vjen në një kohë kur Kohen ka shtyrë një tjetër dëshmi, për shkak të disa kërcënimeve të bëra në adresë të familjes së tij, për të cilat ai fajëson kreun e shtetit.

Komisioni i Posaçëm për Shërbimet e Inteligjencës në Senatin amerikan ka thirrur për të dëshmuar ish-avokatin e presidentit Donald Trump, Majkëll Kohen. Sipas mediave amerikane, avokatit do t’i duhet të paraqitet në Senat nga mesi i muajit shkurt, por motivet e thirrjes së tij janë ende të paqarta. Vitin e kaluar,  u vetëdeklarua fajtor për një sërë krimesh financiare dhe elektorale të kryera gjatë fushatës presidenciale të Trump në vitin 2016.

Ndërsa më herët gjatë janarit, ai shtyu paraqitjen përpara një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve, për shkak të kërcënimeve të ardhura në adresë të tij nga presidenti Trump dhe avokati i tij Rudi Xhuliani. Në një postim në Twitter muajin e kaluar, presidenti amerikan e quajti ish-avokatin e tij një “mi” për shkak të deklaratave dhe bashkëpunimit me prokurorët. Kohen kishte qenë një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Trump, aq sa në disa media është pagëzuar me nofkën “Mekaniku” për shkak se zgjidhte problemet e kreut të shtetit.

Madje, dikur ai kishte thënë se ishte gati të merrte një plumb për miliarderin e pasurive të patundshme të Nju Jorkut. Në një intervistë të dhënë për “Fox News” pak ditë më parë, Trump deklaroi se zotëronte informacione kompromentuese për familjarët e ish-përfaqësuesit të tij ligjor. “Është diçka të cilën njerëzit duhet ta shohin”, tha Trump, deklaratë kjo që u konsiderua si kërcënim nga Kohen./abcnews.al