Rusia ka dënuar ndërhyrjet e fuqive të huaja në punët e brendshme të Venezuelës, duke i cilësuar përpjekje për të uzurpuar pushtetin. Zëdhënësi i Kremlinit ka kritikuar mbështetjen që disa vende i kanë ofruar liderit të opozitës, duke deklaruar se një gjë e tillë çon në gjakderdhje.
Rusia ka dënuar ndërhyrjen e fuqive të huaja në Venezuelë, të cilat shprehën mbështetjen për liderin e opozitës. Përmes një deklarate për shtyp, Kremlini deklaroi se lëvizja është një përpjekje për të uzurpuar pushtetin, që shkel ligjin ndërkombëtar dhe çon vendin latin drejt gjakderdhjes.
Moska e sheh Venezuelën si një prej aleatëve më të ngushtë të saj në Amerikën Latine dhe përveç se i ka dhënë hua miliarda dollarë ka mbështetur edhe industrinë e saj të naftës dhe atë ushtarake. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake.
“Ne konsiderojmë se përpjekja për të uzurpuar sovranitetin e Venezuelës bie ndesh me ligjet dhe parimet ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke shtuar se Maduro është lideri legjitim.
Në të njëjtën linjë, Ministria e Jashtme ruse deklaroi se vetëshpallja president e liderit të opozitës Huan Guaido’ e çon vendin drejt paligjshmërisë dhe gjakderdhjes.
“Vetëm venezuelianët kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Ndërhyrja destruktive nga jashtë në këto momente tensioni është e papranueshme”, nënvizoi Ministria e Jashtme.
Moska zyrtare gjithashtu paralajmëroi se çdo nismë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara do të ishte një aventurizëm që do të ndiqej nga pasoja katastrofike. Reagimi i Rusisë erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump njohu liderin venezuelian të opozitës, Huan Guaido’ si presidentin e ri të vendit. Ai ftoi vendet e tjera të bënin të njëjtën gjë, por thirrja e tij ka krijuar përçarje në komunitetin ndërkombëtar.
Kanadaja, Britania dhe 7 vende të Amerikës së Jugut i janë përgjigjur pro thirrjes, ndërsa BE ka ngurruar. Ndërkohë, Meksika, Bolivia dhe Kuba shprehën mbështetjen për Maduro. Presidenti turk Erdogan iu drejtua atij me një mesazh: “Vëllai im Maduro! Qëndro me kokën lartë, ne jemi pranë teje”. Edhe Kina, një investitor i rëndësishëm në Venezuelë, deklaroi se kundërshton çdo ndërhyrje të huaj./abcnews.al