Nga kaosi institucional në Venezuelë,janë krijuar dy palë të kundërta me njëra – tjetrën: nga ana e presidentit të vetëshpallur janë rreshtuar dhe Brazili, Argjentina dhe Kanadaja; ndërsa Maduro vijon të mbështetet nga Kuba, Kina dhe Turqia.
Përshkallëzohet tensioni ndërkombëtar pas sfidës ndaj presidentit venezuelian Nikolas Maduro nga Huan Guaido, përfaqësues i opozitës i cili u vetëshpall President i vendit. Rusia denoncoi rrëmbimin e pushtetit dhe e cilësoi Maduron si liderin legjitim të vendit. Me anë të një deklarate zyrtare Moska bën të qartë se rreshtohet në krah të Maduros për të mbrojtur sovranitetin e vendit si dhe akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po shtojnë presionin ndaj Venezuelës.
Kaosi në shtetin amerikano – jugor ka detyruar shumë vende që të rreshtohen në anën e Maduros ose të Guaidós. Vendimi i këtij të fundit, u miratua përveç se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Franca e Emanuel Makron, Brazili, Argjentina dhe nëntë vende të tjera anëtare të grupti LIMA: Kanada, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Guatemala, Honduras, Panama, Paraguaj e Perù.
Në mbështetje të Maduros në Amerikën Latine janë rreshtuar Kuba, Bolivia dhe Meksika. Nga ana tjetër e Oqeanit edhe Turqia e Erdoganit ka shprehur solidaritetin me Maduron, me Erdoan që tha: Rezisto vëlla, jemi me ty. Siria dhe Kina kundërshtojnë çdo ndërhyrje të jashtme në Venezuelë.
Për këtë çështje është shprehur dhe presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani, i cili theksoi se po ndiqte çështjen me shumë vëmendje duke shtuar se ndryshe nga Mduro, Guaido ka ligjshmërinë demokratike nga ana e tij. “Duhet respektuar liria e shprehjes dhe protesta e një populli icili ëshët lodhur duke vuajtur nga uria dhe nga abuzimet e Maduros”- u shpreh ai.
Për Federika Mogherini, populli venezuelian ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore, të zgjehdë lirisht ;iderët dhe të vendosë për të ardhmen e tij. Zëri i Popullit nuk mund të injorohet, vazhdon më tej deklarata e përfaqësueses së lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë e përbashkët në Bashkimin Europian.
Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian Donald Tusk tha se shpresonte se e gjithë Europa të jetë e bashkuar në mbështetje të forcave demokratike të Venezuelës, dhe se Asambleja Parlamentare përfshirë Guaido, ka një mandate demokratik nga qytetarët venezuelianë.
Presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro, foli para mijëra mbështetësve të tij, pak orë pasi kreu i Shtëpisë së Brdhë Donald Tramp pranoi Huan Guaido si President të vendit pas vetëshpalljes së tij në këtë post
Para turmës së njerëzve të mbledhur në Karakas ai konfirmoi prishjen e marrëdhënieve diplomatike me Uashingtonin duke theksuar se kishte vendosur të prishte çdo lloj marrëdhënie diplomatike dhe politike me qeverinë imperialiste të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai iu dha vetëm 72 orë kohë diplomatëve amerikanë për t’u larguar nga vendi.
Tensioni në vend është shumë i lartë, ku ka protestat nga të dyja palët, pro dhe kundër Maduros. Policia dhe ushtarët kanë qëlluar ndaj manifestuesve duke shkaktuar 14 viktima sipas raportimeve të organizatave jo qeveritare, ndërsa që nga e hëna janë arrestuar mbi 200 persona. /abcnews.al

