Rama inspekton punimet në spitalin e Elbasanit

schedule14:33 - 24 Janar, 2019

schedule 14:33 - 24 Janar, 2019

Spitali i Elbasanit ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit Rama, ku inspektoi investimet për përmirësimin e sistemit shëndetësor. Ndërsa mori garancinë e përfundimit të investimeve në muajin qershor, kreu i qeverisë kërkoi dhe vënien në efiçencë të rregullave sesi duhet të funksionojë një qendër siptalore.

E ka nisur si tur inspektimesh për të treguar jo vetëm nga rrjetet sociale se po hidhen para për sistemin shëndetësor.

Rezonanca magnetike me vlerë 770 mijë dollarë është investimi më i ri më i ri në qendrën spitalore të Elbasanit i tha Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manstirliu Kryeministrit Edi Rama.

“E cila është instaluar dhe është në funksion të plotë. Nëse deri dje imazheria ishte e shpërndarë, skaneri, grafia, tashmë janë të gjitha të  përqendruara në një ambient”.

Duk qenë se rezonanca e re i shërben qytetarëve të të gjithë Qarkut të Elbasanit, Ministrja  Manastirliu tha se kjo do të shkurtojë deri në 4 javë listën e pritjes për të kryer këtë ekzaminim, një kohë optimale kjo edhe për vende të BE-së.

Një tjetër investim është rikonstruksioni i godinës së vjetër të Spitalit të Kirurgjisë, ndërtim  i vitit 1976. Ky ambient do të kthehet në Spital të Urgjencës dhe të Patologjisë, me dy shërbime kryesore, Neurologjinë dhe Kardiologjinë.

“Përfundon rreth muajit qershor, ndoshta edhe më parë. E gjitha sipas standardeve të parashikuara për një spital rajonal”.

Për kryeministrin Edi Rama me rëndësi është ndryshimi i konceptit për spitalin.

“Gjithë sfida është të dalë populli nga spitali, në kuptimin që spitalet janë për pacientët, ku vijnë në qetësi, në rregull, të ketë orar vizitash për familjarët, por nuk mund të jetë spitali pikë grumbullimi e gjithë dynjasë. Patjetër duhet investuar në këtë pjesë, pasi spitali është një territor ku duhet të ketë rregull dhe qetësi të madhe. Këtu ka ndodhur një transformim i madh, për hir të së vërtetës. Ishte një llahtar. Tani ka marrë formë”.

Po ky transformim sipas kreut të qeverisë duhet të shoqërohet me një rregull të brendshëm funksionimi, që spitali të mos  kthehet në një “vijë kalimi hyr e dil”. /abcnews.al