Shkencëtarët në Universitetin e Osakas, në Japoni, po përdorin printera tre dimensionalë për të krijuar atë që shpresojnë se do të shërbejë si një alternativë për biftekun e famshëm wagyu.
“Nëse do të jemi në gjendje të prodhojmë shumë mish nga vetëm disa qeliza, ekziston mundësia që të jemi në gjendje t’i përgjigjemi mungesës së ushqimit dhe proteinave në të ardhmen”, thotë Michiya Matsusaki, profesor në Universitetin e Osakas.
Mishi i prodhuar në laborator deri më tani ka qenë në copëza të vogla, por studiuesit synojnë tashmë të replikojnë strukturën e veçantë të mishit wagyu, që e dallon nga llojet e tjera të mishit të viçit.
Profesor Michiya Matsusaki dhe ekipi i tij kërkimor morën qeliza nga lopët e zeza japoneze, dhe pastaj përdorën një printer biologjik tre dimensional për të krijuar muskuj individualë, enë gjaku dhe fibra dhjamore. Ata i bashkojnë me dorë pjesët e fibrave për të prodhuar mishin.
Nuk dihet ende shija e tij, pasi shkencëtarët thonë se mishi wagyu i kultivuar në laborator nuk është ende gati për t’u servirur.
Momentalisht, duhen deri në katër javë për të krijuar një centimetër kub mish wagyu, me kosto rreth 89 dollarë për një gram. Zoti Matsusaki thotë se kur procesi të jetë rafinuar dhe automatizuar, mishi mund të kalojë në prodhim masiv brenda pesë viteve, gjë që do të ulte edhe koston. Ai beson se kjo teknologji do të zbatohet një ditë edhe nga mjekësia rigjeneruese.
“Nëse i zëvendësojmë me qeliza njerëzore, mund të jemi në gjendje të transplantojmë muskujt e njeriut, si p.sh. muskulin e kofshës që i mungon dikujt”, thotë profesor Matsusaki.
Një vlerësim i kompanisë Global Information sugjeron se tregu për mishin e prodhuar nga qelizat mund të rritet në 2.79 miliardë dollarë deri në vitin 2030, nga niveli i tanishëm prej 1.64 milionë dollarësh.
Shqetësimet mjedisore dhe etike për industrinë e mishit kanë shtuar interesin për alternativat vegjetariane dhe potencialin për produkte të prodhuara në laborator. Mishi i pastër, siç quhet nga shkencëtarët dhe mjedisorët, konsiderohet një arritje e rëndësishme në luftën kundër ndryshimit klimatik.
Sipas OKB-së, sektori i blegtorisë është përgjegjës për rreth 14.5% të gazrave ndotës që shkaktojnë ngrohjen e planetit dhe toka e përdorur për bujqësinë është një faktor nxitës për shpyllëzimin.
Kompani si Aleph Farms dhe Memphis Meats po përpiqen të prodhojnë mish viçi dhe pule nëpërmjet prodhimit të qelizave fillimisht në epruveta dhe në vazhdim në bio-reaktorë të mëdhenj që ngjasojnë me fabrikat ku prodhohet birra./VOA