Skuadra e Kukësi pas pak javësh mund të luajë edhe ndeshjen e parë në stadiumin e saj të ri, i cili tashmë ka marrë edhe një emërtim të ri teksa është vendosur të quhet “Kukës Arena”.
Një investim ky për skuadrën verilindore që pritet të kthehet më në fund në shtëpinë e saj pas disa vitesh ‘shtegtim’ nëpër stadiumet e skuadrave të tjera.
Stadiumi tashmë “Kukës Arena” është një impiant modern sipas gjitha standarteve europiane, dhe për herë të parë skuadra e Kukësit do të ketë fatin në zhvillojë ndeshjet edhe gjatë natës me ndriçim teksa në këtë stadium do të presë edhe ndeshjet në Kupat e Europës.
Në profilin zyrtar në ‘Facebook’, klubi i Kukësit ka bërë një postim të stadiumit ku tregon edhe vendosjen e emrit të ri si dhe çdo tribunë ka një emërtim të veçantë.
Ja postimi i plotë i Kukësit:
“Stadiumi i ri i cili pas pak kohësh do të presë më në fund skuadrën, do të mbajë emrin “Kukës Arena”. Investimi i bërë në stadium, e ka kthyer në një impiant modern i cili do të jetë edhe i gatshëm të presë ndeshjet e skuadrës sonë në Kupat e Europës, teksa ndeshjet mund të luhen edhe gjatë natës pasi stadiumi ka sistem ndriçimi.
Stadiumi “Kukës Arena” do të ketë emërtim të veçantë për secilën tribunë. Tribuna qendrore do të ndahet në dy pjesë dhe do të emërtohen
Tribuna “Zeqir Ymeri”
Tribuna “Gramoz Palushi”
Tribunat pas porte do të quhen:
Tribuna “Neim Hoxha”
Tribuna “Sadik Zeneli”
Tribuna përballë do të quhet
Tribuna “Shkëlzen Domi”
Punimet në fushën stërvitore po ecin me ritme të shpejta dhe në kujtim të futbollistit 17-vjeçar, i cili ndërroi jetë gjatë një ndeshje miqësore me të rinjtë e Kukësit, ky kompleks do të quhet “Kompleksi Stërvitore Ilirjan Thaçi”, thuhet në postim.
/f.a/abcnews.al