Xhejms Harden vazhdon të kalojë legjendat e NBA-së

schedule12:59 - 21 Janar, 2019

schedule 12:59 - 21 Janar, 2019

Xhejms Hardën vazhdon të ndjekë rekordet e basketbollit amerikan. Kapiteni I Hjustonit kaloi një tjetër legjendë historike, por mbetet ende larg Uilt Çembërlenit.

Ka 19 ndeshje radhazi me të paktën 30 pikë, në një nga seritë më të gjata në histori. Xhejms Hardenit i duhet vërtet një titull për t’u “çimentuar” si një nga legjendat e basketbollit amerikan, por edhe kjo që po bën, nuk është pak.

Kapiteni i Hjustonit realizoi 48 pikë në fitoren e zorshme ndaj Lejkërsave, 138-134, duke lënë prapa një tjetër legjendë të NBA-së, Elgin Bejlërin.

Bejlër kishte 18 ndeshje me 30 pikë e më shumë, por tani u detyrua të dorëzohej përpara “Mjekrës”. Më herët, Harden kaloi edhe yllin e viteve të fundit, Kobi Brajantin. Gjithsesi, do të jetë shumë e vështirë, në mos e pamundur, për të mbërritur Uilt Çembërlenin.

Për momentin, ai mund të kalojë një seri të Çembërlenit, atë me 20 ndeshje radhazi me 30 pikë e më shumë. Për fatin e keq të Hardenit, ish-ylli i viteve 60-të, ka edhe seri të tjera, si me 25 apo me 31 ndeshje radhazi, për të mos llogaritur rekordin e madh të NBA-së, prej 65 sfidave njërën pas tjetrës me 30 pikë apo më shumë.

Nëse Hardeni do t’ia dilte, do të ishte edhe ai një “mbinjeri”. Ndaj Lejkërsave, “Mjekra”, përveç 48 pikëve, pati edhe 8 topa në tabela, 6 asistë, 4 vjedhje topi dhe një bllokim gjuajtjeje.

Hjustoni është në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, me 26 fitore e 19 humbje, ndërsa Xhejms kryeson renditjen e shënuesve më të mirë të kampionatit me 35.7 pikë për ndeshje dhe me 1450 pikë gjithsej. /abcnews.al