Presidenti Ilir Meta vijon vizitën zyrtare në Kosovë Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë Meta sot në mëngjes ka takuar kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Presidenti shkruan se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane.
“I lumtur të nisja sot ditën me një takim vëllazëror në Prishtinë me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin, Ramush Haradinaj. Ndamë urimet më të ngrohta në vigjilje të Ditës së Flamurit Kombëtar dhe nënvizuam rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, në dobi të qytetarëve tanë. Në këtë kuadër, vendosja e lidhjes hekurudhore mes Shqipërisë dhe Kosovës është e domosdoshme dhe me impakt zhvillues për tërë rajonin.
Duke evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve tona, si element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, theksova se Procesi i Berlinit është një mundësi e shkëlqyer për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët europiane”, shkruan Meta.
Pas Haradinajt, Meta, do të takohet edhe me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca dhe liderin e PDK-së, Memli Krasniqin.